Çfarë prodhoi takimi Kurti dhe Vuçiç me kancelarin gjerman Scholz? Zykaj zbardh në “Ballkan” detajet e diskutimit

schedule18:50 - 6 Maj, 2022

schedule 18:50 - 6 Maj, 2022

Gazetarja Erisa Zykaj ka zbardhur në një lidhje me emisionin “Ballkan” të gazetares Linda Karadaku, takimin e zhvilluar në Berlin mes kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

E pyetur nga moderatorja Karadaku se çfarë prodhoi ky takim, gazetarja Zykaj tha se kancelari gjerman vendosi pikat mbi “i”, ku ju bëri të qartë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk mund të konsiderohet i mbyllur vetëm me zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me përditshmërinë e qytetarëve të dy vendeve, por ai do të duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes reciproke të dyja vendeve.

Gjithashtu Zykaj shtoi se mesazhi i kancelarit gjerman Olaf Scholz është, që duhet medoemos progres në dialog. Por ai paralajmëroi të dyja palët se përparimi në dialog është “vendimtar për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, si dhe për integrimin evropian të të dy vendeve”.

Pjesë nga diskutimi:

Linda Karadaku: Çfarë prodhoi takimi Kurti dhe Vuçiç me kancelarin gjerman Scholz?

Erisa Zykaj: Në termat e produktit që prodhuan takimet e kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë me kancelarin gjerman Olaf Scholz, mund të themi që këto takime vendosën pikat mbi i. Së pari, u rikonfirmua  kuadrin i zgjidhjes për çështjen më të ndjeshme dhe thelbësore të normalizimit midis dy vendeve që ka të bëjë me njohjen reciproke të dy vendeve.  Kancelari gjerman bëri të qartë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk mund të konsiderohet i mbyllur vetëm me zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me përditshmërinë e qytetarëve të dy vendeve, por ai do të duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes reciproke të dyja vendeve. Pas takimeve të veçanta që kancelarin gjerman zhvilloi me dy kryeministrat u tha qartë në konferencë për shtyp, se njohja e pavarësisë së Kosovës është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se marrëveshja përfundimtare midis dy vendeve do të duhet të përfshijë njohjen e dyanshme. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për Serbinë, e cila nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj zyrtar për mungesën e vullnetit për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Së dyti, janë vendosur pikat mbi i lidhur me pritshmërinë e takimit të 13 maj në Bruksel në nivelin e kryenegociatorëve. Edhe pse ky takim nuk do mbahet në nivelin e lartë, të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, mesazhi i kancelarit gjerman Olaf Scholz është, që duhet medoemos progres në dialog. Por ai paralajmëroi të dyja palët se përparimi në dialog është “vendimtar për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, si dhe për integrimin evropian të të dy vendeve”.  Është për këtë arsye që ai ka thirrur në Berlin edhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili po ashtu është takuar me dy liderët e Kosovës dhe Serbisë. Në këtë nivel mesazhet e Gjermanisë janë në të njëjtat me atë të Miroslav Lajçak. Së pari, duhet një marrëveshje përfundimtare për njohjen e targave të automjeteve. Deri tani, sipas marrëveshjes së përkohshme, nga të dyja palët janë përdorur letra ngjitëse për të mbuluar simbolet kombëtare gjatë kalimit të automjeteve të Serbisë në Kosovë dhe anasjelltas. Ky sistem duhet të marrë fund dhe të zëvendësohet me një përfundimtar. Pika e dytë, ku mesazhi i Gjermanisë përkon me atë të përfaqësuesit të posaçëm është dakordësia për marrëveshjen lidhur me personat e pagjetur. Burime të Bashkimit Europian kanë thënë për ABC, që palët janë shumë pranë një marrëveshjeje, praktikisht duhet dakordësia për një fjalë.

Së treti, përshpejtimi i reformave kyçe në integrimin europian. Kancelari gjerman Olaf Scholz i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive në procesin e rifillimit të bisedimeve të normalizimit dhe përsëriti dëshirën e tij që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. “Ballkani Perëndimor i përket Evropës,” tha Scholz pas bisedimeve me Kurtin. Duke folur pas takimit të tij me Scholz, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se do të bënte gjithçka në fuqinë e tij për të arritur një kompromis. Scholz inkurajoi Serbinë të ndiqte reformat në sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe luftimin e krimit të organizuar. Pas takimit me Scholz-in, Kurti theksoi progresin në sundimin e ligjit në Kosovë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. Në të ardhmen, të gjitha vendet e tij duhet të jenë gjithashtu pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Scholz. Ai është i përkushtuar të sigurojë që vendet ta konkretizojnë këtë perspektivë shumë shpejt. Scholz njoftoi një udhëtim në Ballkanin Perëndimor në gjysmën e dytë të vitit. Ai do të ftojë gjithashtu gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në një takim si pjesë e “Procesit të Berlinit” për të promovuar bashkëpunimin rajonal.

Linda Karadaku: A po rritet roli i Gjermanisë në dialogun Prishtinë-Beograd ?

Erisa Zykaj: Po. Kancelari gjerman e ka bërë të qartë se progresi në dialogun Prishtinë-Beograd është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se Gjermania është e gatshme të angazhohet më shumë në udhëheqjen politike të dialogut Prishtinë-Beograd. Kjo udhëheqje është marrë më parë nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel së bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Kancelari Olaf Scholz merr në këtë mënyrën stafetën nga ish kancerlarja gjermane Angela Merkel. Së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, Gjermania dhe Franca do të vazhdojnë të luajnë rolin e motorit të Bashkimit Europian, që ka qenë prezent që në krijesën e tij. Për dialogun dhe bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e procesit të Berlinit.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!