Çfarë pritet të ndodhë pas ngritjes së KLP-së dhe KLGJ-së

schedule19:24 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 19:24 - 23 Dhjetor, 2018

Plotësimi me anëtarë dhe nisja e funksionimit te Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor ka kaluar në një tjetër fazë Reformën në Drejtësi. Por çfarë pritet të ndodhë në vijim?

Java që lamë pas do të memorizohet në historinë e sistemit të drejtësisë në vend për nisjen e funksionimit të dy prej institucioneve të rëndësishme në kuadër të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në mbledhjet e para, drejtuesit respektivë të dy organizmave qeverisës së prokurorëve dhe gjyqtarëve përmendën qëllimin e përbashkët për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Por cilat janë lëvizjet e para që do të ndërmarrin këto dy institucione?

Një nga ndërmarrjet më primare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është hapja e garës për Prokurorin e Përgjithshëm me mandat. Prokurori i ri do të zërë vendin e Arta Markut, prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Në korridoret e prokurorive kanë nisur të përfliten emrat e parë të kandidatëve, por nuk përjashtohet edhe një kandidim i kryeprokurores së Përkohshme, Marku. Në vijim KLP-ja do të zgjedhë edhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, të njohur si SPAK.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë në funksion me gjithë kapacitetin për të garantuar mbarëvajtjen e gjykatave në vend. Pasi të zgjedhë katër komisionet e përhershme mes anëtarëve të Këshillit, KLGJ pritet të hedhë hapa për ngritjen e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Njëkohësisht KLGJ-ja do të miratojë aktet nënligjore për gjyqtarët dhe do të marrë vendime për emërimet dhe promovimin e gjyqtarëve tyre apo vendosjes së masave disiplinore.

Pas nisjes së procesit të Vettingut, vënia në funksion e KLP-së dhe KLGJ-së dhe veprimet që do të ndërmerren duket se do të jetë prova e radhës e sistemit të drejtësisë në sytë e publikut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!