Ekzistojnë një sërë faktorësh që po i “detyrojnë” pacientët me Covid-19 në vendin tonë që të shkojnë drejt aktet ekstreme siç mund të jetë hedhja nga lartësia. Kështu u shpreh në Radari Informativ në ABC, specialistja e shëndetit mendor Arlinda Cerga.
Sipas Cergës, faktorët e rrezikut që ndikojnë janë problemet që shkakton ankthi, paniku, depresioni, si dhe mjekimet që të sëmurët me koronavirus marrin.
“Para se të infektohen ata kanë një situatë paniku. Ndërkohë, mjekimet, shkaktojnë konfuzion, probleme me psikozat, halucinacionet, sëmundjet, Covid-19 shkakton inflamacion në tru. Shkaktohet delirium, personi s’e kupton se çfarë po ndodh, irritohet pa masë. Kjo ndodh më shumë tek ata në reanimacion.”
Ndërsa, e pyetur se pse këto raste po ndodhin kryesisht në kushte spitalore, Arlinda Cerga us hpreh se këtu mungon edhe mbështetja familjare dhe sociale.
“Kur hiqet, bëhet faktor risku i shtuar. Megjithatë, sa i përket vetvrasjeve në spital, ndodh në një apo dy raste, por kaq shpesh, në një frekuencë kaq të lartë…është e pafalshme.”
Sipas saj, është e pafalshme që me gjithë këto raste, nuk ka një reagim konkret nga ana e qeverisë apo autoriteteve përkatëse.
“Që mos ketë aksion është e palafshme. Që në mars, kemi thënë që duhet të ketë një strategji për shëndetin mendor. Vendi nuk ka një strategji të shëndetit mendor. Nuk kemi burime njerëzore, është neglizhuar historikisht. Për ata që kanë vuajtur nga këto probleme, ata e ndjejnë në kurrizin e tyre.”
Po ashtu, Cerga shpjegoi se ndërsa në botë harxhohen rreth 350 euro për person lidhur me problemet e shëndetit mendor, në Shqipëri harxhohen 218 lekë.
Arlinda Cerga thekson se në spitale duhet të ketë konsulencë psikologjike, dhe kjo duhet t’u ofrohet jo vetëm pacientëve, por edhe vetë mjekëve dhe pacientëve.
“Mjekët në Shqipëri nuk janë të trajnuar për t’i njohur këto probleme…Edhe vendet e Afrikës nuk janë në këtë gjendje. Personat, stafi që punon në spitalet Covid janë shumë në rrezik për probleme të shëndetit mendor. Nga marsi deri tani, vërtetohet që ka numër të rritur të depresionit dhe ankthit tek stafi mjekësor. Edhe ata duhen parë me kujdes, edhe ata janë viktimë e kësaj strukture nonekzistente për shëndetin mendor.” s.b/abcnews.al/