Pjesën e tretë të kësaj puntate të emisionit “Provokacija”, Mustafa Nano e zhvilloi me tre të rinj fitues. Ata janë fitues të një aktiviteti të organizuar nga Bashkia e Tiranës, ku edhe Nano ishte i ftuar, një garë mes gjimnazistësh të trajnuar për ligjërimin publik dhe “Stand Up Comedy”. Por të rritur në një vend si Shqipëria, nuk mund të mungonte edhe pyetja se çfarë mendimi kanë ata për vendin tonë.
Mustafa Nano: Do doja të më shpjegonit marrëdhënien që keni ju vetë me këtë vend. Çfarë do doni ju për këtë vend? A është mirë me qenë shqiptar?
Dea Pekaj, fituese e “Public Speech”: Për hir të asaj çfarë jemi do themi po. Normalisht fakti që jemi shqiptarë, këtë nuk e ndryshojmë dot. Nëse do nisesha nga emri shqiptar, Po më pëlqen. Pastaj nëse do nisesha nga vendi ku jetoj, do doja të thoja këtë që unë besoj shumë tek të qenurit pjesë e një vendi në një kohë të caktuar. Shqipëria është shumë e bukur dhe këtë nuk e them nga natyra që ka, por sepse e them nga ajo që çfarë ofron në të vërtetë dhe njerëzit që banojnë në të, pavarësisht problematikave dhe gjërave që në të vërtetë duket se e zbehin ose e errësojnë le të themi. Për asnjë lloj arsyeje në botë nuk do doja të thoja që fjala “nuk e pëlqej faktin që jam shqiptar” të dilte nga goja ime. Çfarëdo lloj problemi që është sot nuk do të thotë që do jetë edhe pas 10 ditësh, pas një muaji, pas disa vitesh. Çdo gjë është e rregullueshme. Edhe Shqipëria në këto kushte është.
Arkid Kaleci, fitues i “Stand Up Comedy”: Do thoja që kur thua “a je krenar që je shqiptar” më shumë bëhet fjalë për historinë e vendit nga vjen. A je krenar për vendin nga ti je? Se në momentin aktual ku je aty s’ke ç’ti bësh. Shqipëria 30 vite ka që ka dalë nga diktatura dhe për këtë arsye nuk është ajo që do donim të ishte dhe këtë nuk e ndryshojmë dot. Por ajo çka bëhet fjalë te historia mua më pëlqen shumë historia e Shqipërisë. Mua më përlqen historia e fshatit nga vij edhe e them me plot dëshirë dhe dashuri që unë Starja dhe pse mos të them me dëshirë që unë jam nga Shqipëria.
Stejsi Susaj, fituese e “Fabula më e mirë”: Për mendimin tim, të mohosh identitetin tënd është një ndër veprimet më të ulëta që mund të bëjë dikush. Të mohosh prejardhjen tënde, historinë në të cilën vjen sepse në fund të fundit fakti që ne i përgjithësojmë gjërat i ul pak imazhin njerëzve në tërësi. Domethënë nëse unë them që shqiptarët janë me mentalitet nuk kam të drejtën që ta përgjithësoj për të gjithë shqiptarët sepse mund të ketë zona që mund të kenë mentalitet, por nuk mund të them që shqiptarët janë të tillë. Pse vjen kjo shprehja “a je krenar që je shqiptar”? Publiku është mësuar që në televizor të shohë atë pjesën më tronditëse të ngjarjeve në televizion. Nuk del askush dhe prezanton një njeri normal dhe ju prezantojmë një tjetër që është po normal. Dalin të tjerë që kanë bërë veprime që nuk duhen dhe që jepen si mesazh për të tjerët që mos të arrihen, ose të gjenden mënyra për të mos u arritur deri në atë lloj pike. Ky lloj reklamimi i të gjithë gjërave negative e ul imazhin edhe te vetë ne shqiptarët edhe pse nuk jemi të tillë./abcnews.al