Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme me Iranin duhet të ketë si kusht kryesor dhe të panegociueshëm ndalimin e plotë të programit bërthamor ushtarak.
Duke u përgjigjur në pyetjen se si do të dukej një “marrëveshje e mirë”, Trump tha se prioriteti i vetëm është që Irani të mos posedojë armë bërthamore.
“Pa armë bërthamore, kjo është e para. Mendoj se tashmë ka ndodhur ndryshimi i regjimit ne nuk e kemi pasur kurrë këtë si kriter”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se zhvillimet politike në Iran mund të kenë ndryshuar situatën në terren.
Sipas tij, çështja e armëve bërthamore përbën rreth 99 për qind të gjithë marrëveshjes së mundshme, duke nënvizuar se pjesa tjetër e detajeve është më pak e rëndësishme krahasuar me këtë objektiv kryesor.
Deklarata e Trump vjen në një moment tensionesh dhe diskutimesh të vazhdueshme ndërkombëtare rreth programit bërthamor iranian dhe përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje të re mes palëve.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani gjatë ditës së sotme pritet të nisin bisedimet për paqe dhe vend nikoqir është Pakistani.


