Është folur shpesh për këtë anomali. Kur flasim për “El Clasico” e futbollit spanjoll, europian dhe botëror, kemi parasysh një ekuilibër thuajse të plotë, dhe kështu ndodh tek djemve, veçse vajzat janë punë tjetër.
Skuadra e femrave të Barcelonës, që kohët e fundit po dominon edhe Championsin, ka një epërsi të jashtëzakonshme ndaj Realit.
Këtë e thekson e përditshmja “Marka” e Madridit, që ndonëse gazetë kombëtare anon jo pak nga Reali apo deri diku nga Atletiko. Një 27-0 që preokupon në Valdebebas, – është një titull I saj.
Po flasim për golaverazhin e 7 El Klasikove të fundit Barcelona-Real, të fituara të gjitha nga vajzat “blaugrana”!
Dërrma e fundit ishte një 5-0 në fushën madrilene në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretëreshës.
Një ditë pas katastrofës, në 7 mars, kopertinat e “Markës” dhe “AS”-it ishin me Xhud Belinghamin, ndërsa derbin e femrave e raportuan me tituj të vegjël, që mezi dukeshin.
Gjithsesi, sado të fshihet e vërteta nga gazetat, ajo duket fare qartë.
Këtë sezon, dy ekipet janë përballur tri herë, dhe katalanaset kanë fituar 4-0 në kampionat, 5-0 në finalen e Superkupës dhe 5-0 në gjysmëfinalen e Kupës, pra me golaverazhin çarmatosës 14-0!
Për t’i vënë vulën, po sjellim bilancin total të dy emrave të mëdhenj të futbollit. Që nga 2020-ta e deri më sot, Barça dhe Reali janë ndeshur gjithsej 17 herë, me 17 fitore të femrave blaugrana, 0 barazime, e 0 humbje, dhe me golat 64-6!
Natyrisht, nuk duhet të harrojmë se Barcelona u themelua në 1970, ndërsa Madridi vetëm në 2020.