Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Kriza mbi Ukrainën i ka shtyrë zyrtarët e dëshpëruar në kryeqytetet perëndimore të kërkojnë një mënyrë diplomatike për të shmangur pushtimin e Rusisë. Gjatë rrugës për të takuar presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, Emmanuel Macron u pyet për një zgjidhje të mundshme: “Finlandizimi”, statusi i Finlandës gjatë Luftës së Ftohtë.
“Kjo është një alternativë”, tha Macron, por ai këmbënguli se diplomatët do të duhej të mendonin për një zgjidhje tjetër. Lajmi shkaktoi zemërim në Ukrainë dhe gjithashtu në Finlandë, ku përvoja sigurisht ka qenë e hidhur.
Si funksionoi në praktikë “finlandizimi” dhe si mund të zbatohet një status i ngjashëm për Ukrainën?
Ndërsa Europa u nda në blloqe të udhëhequra nga Amerika dhe Bashkimi Sovjetik në agimin e Luftës së Ftohtë, Finlanda mori një status unik. Ndonëse i kishte rezistuar pushtimit sovjetik në shkallë të plotë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u detyrua të hiqte dorë nga disa zona të mëdha, të paguante dëmshpërblime dhe të krijonte Partinë Komuniste të Finlandës.
Në periudhën e menjëhershme të pasluftës, lidhjet e vendit me Perëndimin ishin të pakta. Një traktat i nënshkruar me Bashkimin Sovjetik në vitin 1948 u bë baza për “finlandizimin”. Finlanda do të ruante sovranitetin e saj dhe do të qëndronte neutrale në rivalitetin e superfuqive, duke mos u bashkuar as me NATO-n dhe as me Paktin e Varshavës.
Në praktikë, çmimi i pavarësisë finlandeze ishte se Bashkimi Sovjetik do të kishte ndikim në politikën e vendit.
Urho Kekkonen, presidenti i Finlandës gjatë pjesës më të madhe të luftës së ftohtë, e shndërroi miqësinë me Bashkimin Sovjetik në një gur themeli gjatë periudhës së tij në detyrë dhe përdori rolin që kishte në ruajtjen e marrëdhënieve me Kremlinin. Ai e tejkaloi autoritetin e tij kushtetues, krijoi rrjete personale të korruptuara dhe refuzoi të emëronte zyrtarë në poste të rëndësishme që nuk ishin të pranueshëm për udhëheqjen sovjetike, raporton abcnews.al
Partia kryesore konservatore, Koalicioni Kombëtar, nuk u përfshi në koalicion, pavarësisht se fitoi vendet e dyta ose të treta parlamentare në pesë zgjedhje midis 1966 dhe 1987. Mediat finlandeze u censuruan kur bëhej fjalë për publikimin e artikujve që perceptoheshin si kritika ndaj Bashkimit Sovjetik.
Tammi, u vu në presion në 1974 dhe nuk publikoi një përkthim finlandez të “Archipelago Gulag”, një roman nga Alexander Solzhenitsyn, një disident kryesor sovjetik, por libri u botua në Finlandë disa vite më vonë.
As neutraliteti nuk e bëri Finlandën imun nga ndikimi sovjetik mbi politikën e saj të jashtme.
Për të qetësuar Bashkimin Sovjetik pasi nënshkroi një marrëveshje në 1972 me Komunitetin Ekonomik Europian, një pararendës i Bashkimit Europian, Finlanda gjithashtu iu bashkua Comecon, një bllok i udhëhequr nga sovjetikët, si vëzhgues në 1973.
Udhëheqësit finlandezë u treguan të kujdesshëm ndaj kritikave të politikës së brendshme ose të jashtme sovjetike, madje edhe gjatë ndërhyrjeve ushtarake sovjetike në Hungari në 1956, Çekosllovaki në 1968 dhe Afganistan në 1979.
Pavarësisht kufizimeve, Finlanda lulëzoi.
Ajo kishte një aftësi të fuqishme mbrojtëse dhe mbeti një demokraci liberale. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, ajo mund të ndiqte një politikë të jashtme të pavarur. Në vitin 1994 ajo iu bashkua Partneritetit për Paqe të NATO-s, një program bashkëpunimi që është shumë larg anëtarësimit të plotë, dhe në 1995 u bë anëtare e Bashkimit Europian.
Sot, qëndrimi agresiv i Rusisë në Ukrainë i ka shtyrë liderët finlandezë të forcojnë marrëdhëniet me Perëndimin, raporton abcnews.al
Në dhjetor 2021, vendi bleu avionë F-35 të prodhimit amerikan ndërsa Sauli Niinisto, presidenti i Finlandës, tha se Finlanda ishte e lirë të zgjidhte anën e saj ushtarake, dhe kjo përfshinte opsionin e anëtarësimit në NATO.
Për ukrainasit që mendojnë me ankth për fatin e tyre, “finlandizimi” nuk duket zgjidhja më e mirë.
Qëllimi kryesor i Putinit është që Ukraina, ashtu si Finlanda më parë, të mos anëtarësohet kurrë në NATO. Kërkesat e tjera të tij do të kufizonin sovranitetin e Ukrainës – diçka që Macron dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë thonë se Putin po tejkalon vijën e kuqe.
Zbatimi i protokolleve të Minskut, të cilat kërkonin që Ukraina të decentralizojë pushtetin në rajonet e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore, mund të jetë për Moskën një ndihmë në politikën ukrainase përmes përfaqësuesve të saj atje, raporton abcnews.al
Megjithëse Ukraina ka marrë mbështetje të konsiderueshme diplomatike dhe materiale nga Perëndimi, pozita e saj është më e dobët se sa ishte Finlanda në fillim të Luftës së Ftohtë. Ekonomia dhe politika e saj janë jo funksionale dhe forcat ruse dhe përfaqësuesit e tyre tashmë kanë pushtuar territorin ukrainas në Krime dhe Donbas.
“Finlandizimi” mund të lejojë Ukrainën të shmangë një pushtim por vendi do të ishte sërish nën kontrollin e Moskës.
/abcnews.al