Çelsi-Barcelona një sfidë e dy stileve të ndryshëm

schedule12:43 - 21 Shkurt, 2018

schedule 12:43 - 21 Shkurt, 2018

Çelsi dhe Barcelona mbeten me besim pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të Championsit luajtur në Londër. Trajneri i katalanasve, Valverde, u shpreh se përballë ishin dy stile krejt të ndryshëm futbolli.

E tha shumë mirë Ernesto Valverde.

Sfida në stadiumin “Stemford Brixh” ishte një duel mes dy stileve të ndryshëm, thuajse të kundërt.

Edhe një trajner që ka filozofi sulmuese si Antonio Konte, u detyrua të “parkonte autobusin” përpara portës së vet, në mënyrë që Çelsi të mos turpërohej nga Barcelona brenda në shtëpi.

Ishin katalanasit që u përpoqën të bënin lojën, që mbajtën topin në zotërim dhe që u shtynë përpara vazhdimisht, për gati 90 minuta, në kërkim të futbollit ofensiv dhe të golave.

Për fat të keq, kundërshtarët kanë mësuar një stil, ashtu siç bënte dikur Zhoze Murinjo me Çelsin apo Interin, mbrohen me shumë forca dhe kundërsulmojnë.

Kur përballë Barçës ka yje si Hazar apo Uillian, atëherë rreziku është gjithnjë I madh, ashtu siç ishte në ndeshjen e turit të dytë të Championsit.

Përfundoi 1-1, me katalanasit në pozicion shumë më të favorshëm, por ironikisht, ishin anglezët që patën rastet e pastër për gol, edhe pse shumicën e kohës qendruan pranë portës së tyre.

Pikërisht Uillian ishte heroi i vendasve, duke goditur dy herë shtyllën, dhe duke shënuar golin e avantazhin.

Konte: “Padyshim që ishte një paraqitje shumë e mirë. Ne ishim shumë pranë fitores dhe shumë pranë realizimit të një ndeshjeje të përsosur. Kur luan kundër Barcelonës duhet të kesh shumë kujdes dhe shumë respekt. Për fat të keq, bëmë një gabim dhe u ndëshkuam, por mund t’ia dalim. Ne ishim skuadër e bashkuar, luftuam për të krijuar raste dhe për të shënuar”.

Autori i golit për Çelsin mbeti me besim edhe pas barazimit.

Uillian: “Luajtëm një ndeshje të madhe dhe ishim shumë kompaktë. Nuk është e lehtë të luash kundër Barcelonës, pasi ajo ka gjithnjë shumë zotërim topi dhe mban iniciativën, por ishim ne që krijuam rastet për shënim. Mendoj se kualifikimi është krejtësisht i hapur”.

Katalanasit, po ashtu ishin të kënaqur.

Trajneri Valverde pranoi vështirësitë, por mbrojti stilin e lojës së skuadrës së tij.

Valverde: “E shoh pozitivisht atë që ndodhi në fushë. Ndeshja ishte një përballje e dy stileve të ndryshëm, dhe ne dominuam në fushë. Patëm shumicën e zotërimit të topit dhe ishim gjithnjë pranë zonës së kundërshtarit. Nuk ishte e lehtë për të krijuar raste, pasi Çelsi u mbrojt me shumë lojtarë dhe nuk kishte hapësirë. Vetë stili ynë i lojës na rrezikonte nga kundërsulmet, dhe kjo bëri që kundërshtari të kishte disa raste. Rezultati ishte shumë i mirë dhe i merituar. Mendoj se kemi një avantazh për ndeshjen e dytë, por jo shumë të madh”.

Edhe mbrojtësi Zhordi Alba u shpreh i kënaqur dhe i sigurt për ndeshjen e dytë që do të luhet në “Kamp Nou”.

Zhordi Alba: “Me përjashtim të gjuajtjeve që bëri Uillian, dhe që ishin të rrezikshme, mendoj se ndeshja ishte krejtësisht në favorin tonë. Ne patëm kontrollin qartësisht. Nëse do të kishim humbur 1-0 do të kishte qenë më e vështirë, por me rezultatin 1-1 është ndryshe, dhe do ta kemi më të lehtë në prani të tifozëve tanë”.

Barcelona e arriti barazimin falë një gabimi të anglezëve, por edhe falë golit të Lionel Mesit, me argjentinasin që më në fund e theu tersin dhe shënoi për herë të parë në portën e Çelsit. /abcnews.al