Ish-kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi në studion e “ABC News” ka folur për konfliktet politike për Reformën Zgjedhore. Sipas tij sistemi aktual nuk aplikohet vetëm në Shqipëri, ndërsa shtoi se nuk është favorizues për partitë e vogla.
Ai u shpreh se sistemi aktual krijon mundësi zgjedhje për partitë politike që janë aktualisht. Sa i përket propozimit të modelit danez sipas tij se vendi ynë ndodhet shumë larg demokracive të konsoliduara. Gjatë bisedës në studoi ai theksoi se nuk duhet të jenë vetëm partitë partitë politike ata që vendosin, ndërsa u shpreh: “Partive politike duhet tu hiqet pushteti i pakufizuar që kanë në administrimin e procesit zgjedhor”.
Më tej ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë i pavarur.
“Duket sikur palët janë ndarë në dy kampe. Nuk kam konstatuar që dikush të jetë për një sistem të pastër. KQZ duhet të jetë e pavarur, modeli i vitit 2000 të paktën në letër garantonte një pavarësi më të madhe të KQZ. Ardhja e propozimeve nga partitë politike nuk garanton cilësi.
Ndryshimi i formulës së përbërjes së KQZ do të sillte një impakt më të mirë. Partitë politike të vazhdojnë të kenë prezencën, por të mos jenë vetëm ato që vendosin mbi procesin. Partive politike duhet tu hiqet pushteti i pakufizuar që kanë në administrimin e procesit zgjedhor. Aplikimi i teknologjisë në një periudhë kaq të shkurtër, është një proces më shumë të panjohura dhe është vështirë që të ketë sukses”, u shpreh ai.
Sakaq ai shtoi se do të vijë një moment që dikush do të marrë përgjegjësinë dhe se në rast se do të ketë dështim dikush do të paguajë kostot. “Më një presion më të shtuar të ndërkombëtarëve besoj se mund të arrihet”, u shpreh ai.
Celibashi theksoi se legjislacioni që ka të bëjë me referendumet duhet të ndryshojë.
“Ligji aktual por edhe dispozitat kushtetuese nuk krijojnë një situatë komode dhe kjo duhet ndryshuar”, tha Celibashi./abcnews.al