“Çelësi i Qytetit” për familjen e arkitektit Gherardo Bosio

schedule15:06 - 21 Maj, 2019

schedule 15:06 - 21 Maj, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i dha “Çelësin e Qytetit” familjes së arkitektit qe hodhi themelet e Tiranës evropiane, Gerhardo Bosio. Veliaj tha gjatë takimit me familjarët e tij se Bosio i dha qytetit një mentalitet të ri në planifikimin urban.

Familja e arkitektit dhe urbanistit të njohur italian, Gherardo Bosio, që hodhi themelet e godinave kryesore në Tiranë do të ketë gjithnjë një derë të hapur ne kryeqytetin shqiptar. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i dha çelësin e qytetit. Një shenjë mirënjohje kjo për arkitetin që sipas Veliajt nuk hodhi vetëm themelet e ndërtesave fizike, por themeloi edhe një mentalitet të ri të planifikimit urban.

“Ju falenderoj shumë! Jam shumë e emocionuar, por edhe shumë krenare, e mezi pres që të mund t’u tregoj gjithçka të këtushme vajzave, që përmes punës sime, përmes jush, të përjetojnë figurën e babait me krenari dhe emocion. Faleminderit që çoni përpara emrin dhe figurën gjeniale dhe krijuese të këtij njeriu. Faleminderit të gjithëve për gjithë punën e bërë dhe për faktin që mbani gjithë këto vepra për të cilat ai ka punuar me shpirt”.

“Ndoshta, për ata që janë për herë të parë në Tiranë, nuk e dinë se sa i famshëm ka qenë gjyshi dhe stërgjyshi juaj, por gjithë ky qytet është projektuar prej tij. Ne jemi shumë krenarë sepse është pjesë e trashëgimisë sonë, sigurisht e ndërtuar në vitet e vështira të luftës, por që sot ka mbetur si toponimet kryesore të qytetit të Tiranës, duke filluar nga Korpusi Universitar, tek ndërtesa e Kryeministrisë, Pallati Mbretëror ose Pallati i Brigadave, që janë bërë pjesë e akupunturës së qytetit tonë, falë eksperiencës së gjyshit tuaj, i cili nuk themeloi vetëm ndërtesat fizike, por edhe një mentalitet të planifikimit urban”.

Sa i përket ndërtesave historike dhe trashgëmisë ndër breza, kryetari i bashkisë theksoi se “Edhe në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria, ku shpeshherë ndërtesat historike të trashëgimisë, vandalizohen, qyteti mundohet që t’i rikuperojë në kohë rekord, t’i ruajë, për t’ia lënë trashëgimi brezave. Kur shoh se si debatet mbi çfarë duhet të qëndrojë në qytet, pra ndërtesat e vjetra, të degraduara, apo ndërtesat e përkohshme, për të vetmen gjë që nuk ka debat janë ndërtesat e Bosios, që ka themeluar, le të themi, një arkitekturë të re në Shqipëri, që janë bazat e çfarë është estetike, e bukur dhe çfarë është me vlerë në qytetin tonë”.

Në Tiranë, arkitekti italian Gherardo Bosio projektoi atë që sot është godina e Teatrit Kombëtar, skicoi Pallatin e Kulturës, Muzeun Kombëtar, krijoi Korpusin Universitar, Akademinë e Arteve, Kolonadën me Institutin Arkeologjik, Stadiumin “Qemal Stafa”, kryeministrinë, Hotel Dajtin, Pallatin e Brigadave etj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!