Në verë shtohen ditët e pushimeve për shumë njerëz, ndërsa për grabitësit e banesave shtohet puna. Vazhdimisht ata sofistikojnë mënyrat e vjedhjes së apartamenteve dhe shtëpive, ndërsa policia apelon qytetarët për kujdes të shtuar.
Një nga metodat e përdorura së fundimi nga grabitësit qe vjedhin banesa ka surprizuar edhe vetë specialistët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Për t’u siguruar që nuk ka njeri në shtëpi, hajdutët vendosin fletepalosje promocioni te dera jashtme e apartamentit. Më pas kthehen pas dy-tri ditësh dhe nëse fletushkat janë ende aty, për grabitësit kjo është shenjë që në banesë nuk ka njerëz, ndaj ajo piketohet për t’u grabitur.
Gjatë muajit korrik në Tiranë janë denoncuar në polici mesatarisht 8 vjedhje objektesh, 5 nga tëcilat kanë qenë apartamente banimi. Nuk i kanë shpëtuar grabitjes as bizneset, ku çdo ditë sipas policisë janë grabitur rreth 3 biznese.
Uniformat blu theksojnë se, zbulimi i grupeve kriminale dhe dënimi i tyre në gjykatë ka qenë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por pavarësisht kësaj, numri i vjedhjeve në kryeqytet nuk është ulur.
Fenomeni i vjedhjeve është kthyer në një shqetësim edhe në zonat bregdetare. Sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Shtetit, në 7 zonat më të mëdha bregdetare regjistrohen çdo ditë 20 grabitje. Ekspertët pohojnë se, një pjesë e mirë e vjedhjeve kryhen nga grupet kriminale që më herët kanë operuar në Tiranë, te cilat gjatë verës zhvendosen në banesat e qytetarëve në bregdet, si Durrës, Golem, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin.
Specialistët kanë apeluar shumë herë që shtëpitë të sigurohen mire para nisjes për pushime. Qytetarëve që kanë lënë banesat vetëm, u kujtohet të mos publikojnë vendodhjen nëpërmjet rrjeteve sociale, por përsëri ky njoftim nuk është marrë parasysh nga një pjesë e mirë e qytetarëve. /abcnews.al