Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, Richard Caplan, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se nuk sheh rrezik që lufta e Putinit në Ukrainë të shpërndahet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë. Caplan thotë se mes Ukrainës dhe Kosovës shtrihen tri shtete anëtare të NATO-s dhe për më shumë Rusia nuk është duke e fituar luftën me Ukrainën. Profesori i Universitetit të Oxfordit ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se aktualisht s’pret ndonjë zhvillim të dukshëm, derisa thekson që Washingtoni dhe Brukseli do të vazhdojnë të kërkojnë që Kosova të implementojë një asociacion të komunave serbe dhe në anën tjetër Serbisë do të t’i kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.
Caplan në këtë intervistë ka folur edhe lidhur me atë nëse duhet të vendosen afate për arritjen e një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Ai thotë se vendosja e afateve do të kishte kuptim vetëm nëse do të përcaktohej një dënim për moszbatimin e tij, derisa teksa shtron pyetjen se cili do të mund të ishte dënimi, thekson se Perëndimi s’do të mund të imponojë një marrëveshje mes palëve. Profesori Caplan ka potencuar se Brukseli dhe Washingtoni mund të arrijnë sukses vetëm të bashkuar sa i përket një marrëveshje Kosovë-Serbi, derisa ngre pyetjen nëse Kurti dhe Vuçiq janë të gatshëm të përfshihen në një proces të tillë. Caplan thotë se nuk shqetësohet që Perëndimi mund ta humbë interesin për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi, por që status quo-në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të rrëshqasë në një konflikt të ngrirë si rasti i Qipros, që vazhdon në pafundësi.
Gazeta Express: Ka pasur shumë zëra që kanë shprehur shqetësime, prej analistëve dhe gjithashtu zyrtarëve e krerëve të shtetit të Kosovës, që rajoni, veçanërisht Kosova, është në rrezik pas agresioni të Rusisë në Ukrainë. Duke parë se si gjërat po shkojnë në Ukrainë, a shihni rrezik që ky konflikt mund të zgjerohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në Kosovë dhe Bosnje, përmes Serbisë dhe “Republika Srpska’s së Dodikut?
Richard Caplan: Unë nuk shoh rrezik që lufta aktuale në Ukrainë të përhapet në Kosovë. Në mes të Kosovë dhe Ukrainës shtrihen tri shtete të NATO-s, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Ato do të mbroheshin fuqishëm nga të gjithë shtetet anëtare të NATO-s nëse lufta do të shpërndahej në territoret e tyre. Për më shumë, nuk duket që Rusia është duke fituar në Ukrainë. Krejt e kundërta. Rusia vështirë se do të donte të përhapej kur tashmë po përjeton vështirësi në Ukrainë. Pavarësisht komenteve se Rusia ka interes për të sulmuar Kosovën (dhe Bosnje e Hercegovinën) përmes Serbisë dhe Republika Srpskas, unë nuk mendoj se ka një rrezik serioz.
Gazeta Express: Lufta ruse në Ukrainë ka motivuar shtetet perëndimore që të kërkojnë nga Kosova dhe Serbia arritjen e një marrëveshje për të mbyllur njëherë e përgjithmonë pikën e nxehtë të kësaj pjese të rajonit, meqë për Perëndimin status-quo i shkon përshtati vetëm Rusisë. Serbia po kërkon kompromis, derisa Kosova njohje reciproke. Në pikëpamjen tuaj cfarë do të mund të ishte kompromisi që do ta shtynte Serbinë ta njohë Kosovën?
Richard Caplan: Me Kosovën, e cila vetëm sa ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjë që Serbia e kundërshton, ndoshta nuk do të jetë momenti i duhur për ndonjë zhvillim të rëndësishëm diplomatik në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Unë pres që Bashkimi Evropian dhe SHBA do të vazhdojnë të insistojnë që Kosova të implementojë një asociacion të komunave me shumicë serbe derisa do t’i bëjnë presion Serbisë për të normalizuar raportet me Kosovën, gjë e cila do të sjellë njohjen e Kosovës. Problemi është që të dy shtetet- dhe liderët e tyre mund të tolerojnë një ngërç të vazhdueshëm, edhe nëse është e qartë se të dy vendet dhe popullsia e tyre – do të përfitonin nga arritja e një marrëveshjeje.
Gazeta Express: Ju keni pasur një opinion për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Si e keni parë paralelen që Vladimir Putin ka tërhequr në mes të rajoneve lindore të Ukrainës dhe rastit të Kosovës. Ka pasur shumë reagime në Serbi si ky që Putin e njohu Kosovën, përderisa Vuçiq ka thënë se qëndrimi i Putinit ia ka vështirësuar edhe më shumë situatën. A e shihni këtë si një farsë Moskë-Beograd, apo mendoni që Putini për interesin e tij, ndoshta mund të ndryshojë pozicionin karshi Kosovës?
Richard Caplan: Putin e ka përmendur Kosovën në disa raste për të mbështetur veprimet e tij. Në një fjalim që ai ka thënë më 21 shkurt të këtij viti, ai iu referuar bombardimet e NATO-së mbi Jugosllavinë dhe mbështetjen për Kosovën si një justifikim për intervenimin e tij në Ukrainë. Njëjtë ministri i Jashtëm i Rusisë Lavrov përmendi bombardimet e NATO-s si justifikim dhe precedent për lëvizjet e Rusisë për të mbrojtur popullatën e Donbass. Një dallim i madh, sigurisht, është që derisa shqiptarët e Kosovën ishin dukshëm nën sulm në vitin 1998 dhe 1999 dhe kjo ishte mirë-dokumentuar në atë kohë, popullata ruse në Donbass nuk është përballur me një kërcënim të tillë. Gjenocidi i supozuar ishte trillim i pastër.
Gazeta Express: A besoni që modeli dhjetëvjeçar i negociatave të BE-së mund të çojë procesin drejt një marrëveshje finale, derisa ka ende marrëveshje të paimplementuara nga dy palët dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak, lëre që po dështon t’i bindë palët për ndonjë marrëveshje, por ai është duke hasur në vështirësi për të kthyer Kurtin dhe Vuçiqin në tavolinë. A duhet që SHBA-ja të përfshihet direkt në proces bashkë me shtetet anëtare kryesore si Gjermania dhe Franca duket ndryshuar modelin e negociatave dhe duke shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshje finale?
Richard Caplan: Edhe pse SHBA nuk është shkëputur nga rajoni – i dërguari i SHBA Gabriel Escobar theksoi kohët e fundit mbështetjen e Uashingtonit për përpjekjet e BE-së – SHBA e sheh këtë si një proces të udhëhequr nga BE. Prandaj, SHBA nuk do të marrë drejtimin. Mund vetëm të spekulohet, por është e mundur që BE-ja dhe SHBA-ja të mund të kenë sukses nëse së bashku do të shtyjnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Por pyetja është nëse Vuçiq dhe Kurti do të ishin të gatshëm të angazhoheshin në një proces të tillë?
Gazeta Express: A mendoni se një afat kohor duhet të vendoset për marrëveshjen finale. Në opinionin tuaj në cilin vit mund të arrihet. Nëse nuk vendosen afate dhe nëse Kosova dhe Serbia vazhdojnë me status-quo, a ka rrezik që Perëndimi të humbë durimin dhe të braktisë procesin (duke mos e trajtuar me prioritet) dhe që regjioni të lëviz drejt një konflikti të ri, duke parë edhe trendin destabilizues në Bosnje?
Richard Caplan: Vendosje e një afati ka kuptim vetëm nëse ka një dënim për mos përmbushjen e tij. Dhe cili do të ishte dënimi në këtë rast? Perëndimi nuk mund të imponojë një marrëveshje për palët. Por nuk jam i shqetësuar që Perëndimi, veçanërisht BE-ja, do të humbasë interesin për këtë çështje. Pse? Sepse rajoni përndryshe do të mbetet një vrimë e zezë në Evropë, gjë që nuk është e pranueshme për BE-në. Të gjithë pajtohen se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës qëndron në BE. Shqetësimi im nuk është për indiferencën; Shqetësimi im është që ky bëhet një konflikt i ngrirë – si Qipro – që vazhdon pafundësisht./GazetaExpress/