Trajneri Italian Fabio Capello ka dalë në mbrojtje të trajnerit të Juventusit, Masimiliano Allegri dhe ka kritikuar teknikun e Liverpool, Jurgen Klopp.
Trajneri italian Fabio Capello rikthehet të flasë rreth kritikave ndaj trajnerit italian Masimiliano Allegri. Ish-trajneri i kombëtares së Anglisë nuk është dakord për kritikat që i bëhen teknikut të Juventusit ndërkohë që Jurgen Klopp lavdërohet edhe pse nuk ka fituar asnjë trofe me Liverpool-in.
“E admiroj punën që bën Jurgen Klopp. Ka ndërtuar një skuadër të madhe, e cila është në garë në çdo kompeticion. Mendoj se është problem kur Allegri kritikohet dhe Klopp lartësohet. Allegri ka fituar pesë tituj në itali dhe e ka dërguar Juventusin në dy finale të Champions-it.
Nëse do të fitonte një herë Ligën e Kampionëve, ai do të konsiderohej si fenomen. Eliminimi nga Champions erdhi pas dëmtimit të lojtarëve. Nuk jam dakord që një trajner që fiton të kritikohet ndërkohë që trajneri tjetër të lavdërohet edhe pse nuk ka fituar asgjë, por vetëm se ka ndërtuar një ekip të fortë”, përfundon Fabio Capello./ABC News Albania 24/7