Çako: 15 shtëpi të pabanueshme pas tërmetit të fundjavës

schedule20:48 - 15 Gusht, 2018

schedule 20:48 - 15 Gusht, 2018

Tërmeti i të shtunës dëmtoi disa shtëpi në qarkun Dibër dhe Lezhë, por 15 prej tyre janë shkatërruar totalisht. Drejtori i Përgjithshëm i emergjencave Civile Haki Çako tha se të gjitha familjet e  prekura janë strehuar në çadra, ndërsa grupet e vlerësimit të dëmeve ndodhen ende në terren.

15 shtëpi janë të pabanueshme në dy qarqet Dibër dhe Lezhë pas tërmetit të 11 gushtit. Ky është konkluzioni i arritur nga grupet e punës në terren, por ky numër mund të rritet.

“Mbi bazën e verifikimeve rezultojnë rreth 15 banesa në të dyja qarqet kryesore, ku ka pasur efekt tërmeti në qarkun e Dibrës dhe Lezhës”.

Familjet më në nevojë që janë prekur nga tërmeti do t’u ofrohen edhe ndihma të tjera përveç çadrës gjatë kësaj periudhe.

“Jemi të angazhuar totalisht për t’i ndihmuar, jo vetëm me çadra, por edhe çdo gjë tjetër që do t’u vijë në ndihmë atyre”.

Drejtori i Përgjithshëm i emergjencave Civile, Haki Çako i shoqëruar nga Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu inspektuan dëmet e shkaktuara në disa familje në fshatin Vinjall të bashkisë së Matit. /abcnews.al