Cakaj reagon për gjestin ndaj ambasadorit: E papranueshme

schedule13:42 - 12 Maj, 2019

schedule 13:42 - 12 Maj, 2019

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka reaguar me anë të një postimi në Facebook për sulmin ndaj amabasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Cakaj deklaroi se sulmi ndaj banesës së ambasadorit të OSBE-së është një sulm primitiv dhe akt kriminal.

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka reaguar në Facebook, pas një shkrimi në murin e brendshëm të pallatit të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë ku shkruhej “Borshard, turp të kesh!”

Cakaj në reagimin e tij ka dënuar këtë akt duke e konsideruar si një akt të papranueshëm kriminal dhe si hakmarrje primitive ndaj ambasadorit të OSBE-së.

“Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme, përbën një tjetër akt të papranueshëm kriminal. Veprimi është kryer në urdhëra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij, si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë”!

Sipas ministrit në detyrë, Gent Cakaj, Ambasadori Borchardt vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë në kuadër të Misionit të OSBE-së dhe duhet të distancohemi nga sulme të tilla kriminale.

“Faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme. Kjo nuk është thjeshtë Shqipëria që duam: Kjo nuk është kurrsesi as Shqipëria e tanishme.

Secili person me përgjegjësi minimale shoqërore duhet menjëherë të distancohet nga sulmi kriminal ndaj Ambasadorit Borchardt dhe të dënojë veprimtarinë e dhunshme kundër Shqipërisë në përgjithësi”.

Shkrimi në murin e pallatit ku jeton ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt u bë gjatë kohës kur opozita e bashkuar po protestonte mbrëmjen e së shtunës pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë./ABC News Albania 24/7