Bylykbashi: Rama s’ mund të bëjë drejtësi pa u dënuar kriminelët

schedule11:18 - 29 Janar, 2018

schedule 11:18 - 29 Janar, 2018

Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama që sipas saj po mbron kriminelët për të ruajtur pushtetin e vet. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi deklaroi se kryeministri po bën kurban reformën në drejtësi për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe personazhe të njohur të krimit.

Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit Oerd Bylykbashi deklaroi se Edi Rama nuk mund të bëjë drejtësi për shqiptarët, pa u dënuar Sajmir Tahiri dhe të tjerë që mbështesin këtë qeveri.

“Pa u dënuar Sajmir Tahiri dhe të tjerë që mbështesin këtë qeveri, Edi Rama nuk mund të bëjë drejtësi për shqiptarët”- tha Bylykbashi.

Sipas tij kriminelëve me të cilët ka ardhur në Pushtet, Rama u siguron lirinë dhe paprekshmërinë

“Kriminelët e vetë me të cilët ka ardhur në pushtet dhe mban pushtetin, si Durim Keçi dhe Agron Xhafaj, të dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge, Rama nuk i ekstradon. Përkundrazi u siguron lirinë dhe paprekshmërinë.

Ndërsa Nezar Seitin, llogaritarin e Habiljave, dëshmitarin kyç të milionave të drogës që ka marrë Saimir Tahiri, shkeli ligjin dhe e ekstradoi vetëm për të sabotuar hetimin e Sajmir Tahirit.

Edi Rama ka ngritur në këmbë shtetin, qeverinë dhe drejtësinë e kapur, si dhe po bën kurban reformën në drejtësi për të mbrojtur Saimir Tahirin, sepse kështu mbron veten e tij dhe pushtetin e tij të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun ndërkombëtar të drogës”- theksoi Bylykbashi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!