Buxheti i shtetit ndryshon për herë të tretë, pandemia rrit ndjeshëm borxhin publik

schedule15:13 - 6 Korrik, 2020

schedule 15:13 - 6 Korrik, 2020

Kriza ekonomike si pasojë e pandemisë ka detyruar qeverinë të ndryshojë buxhetin për herë të tretë brenda pak muajve.

Të ardhurat janë ulur me 43 miliard lekë ose mbi 345 milion euro nëse e krahasojmë me ndryshimin e fundit të buxhetit të bërë në prill të këtij viti kur i gjithë aktiviteti ekonomik ka qene i pezulluar.

Rënia është edhe më e fortë nëse bëjmë krahasim me planin fillestar të ardhurave për 2020 ku rënia rezulton të paktën 506.4 milion euro.

Ndërsa në krahasim me të ardhurat e realizuara në  vitin 2019 ulja e të ardhurave rezulton 14 miliard lekë ose 112.5 milion euro. Po ashtu ndryshimi i fundit në buxhet parashikon rritje të ndjeshme të borxhit publik dhe të deficitit.

Borxhi parashikohet që të arrijë në nivele të frikshme  të cilat përllogariten në rreth 80% .Po ashtu edhe deficiti buxhetor parashikohet të pësojë një rritje drastike  duke arritur në vlerën e 132.9 miliardë lekëve. . Javët e fundit situata epidemiologjike në vend është përkeqësuar ndjeshëm dhe kjo ka bërë që qeveria të kalojë më shumë fonde në këtë drejtim.

Në këtë mënyrë në aktin normativ parashikohet një rialokim të fondit prej 13 .5 milion lekë si kontingjente për paketën sociale Anti-Covid-19.

Të ardhurat në buxhet kanë pësuar ulje të ndikuara direkt nga mbyllja e bizneseve dhe pezullimi i aktivitetit ekonomik.

Zërat më negativ në këtë drejtim kanë qenë TVSH e cila parashikohet të përkeqësohet pas miratimit të paketës së qeverisë për rritje të pragut, taksat kombëtare,akciza si dhe të ardhurat nga pushteti vendor.

Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të pësojë tkurrje të ndjeshme gjatë këtij viti.

Institucionet ndërkombëtare financiare parashikojnë që ekonomia do pësojë një rënie që arrin në -9% edhe papunësia parashikohet një problem më vete për Shqipërinë ku sipas Bankës së Shqipërisë janë rreth 17 mijë persona që kanë humbur punën nga COVID-19.

Rikthimi i kufizimeve për shkak të pandemisë do të përkeqësonte edhe më shumë ecurinë ekonomike në vend si dhe do të thellonte nivelin e borxhit publik një problem ky i hershëm për financat shqiptare.

Ndryshimi i të ardhurave

JANAR 2020   509,6  miliard lekë

PRILL 2020   489,6 miliard lekë

KORRIK 2020   446,5   miliard lekë/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!