“Buxheti i 2025, trefish më i madh se në 2013″/ Rama: Ulëm borxhin, fond pagash 1.3 miliardë euro për sektorin publik

schedule10:49 - 18 Nëntor, 2024

schedule 10:49 - 18 Nëntor, 2024

Buxheti i vitit 2025 është trefish më i madh se ai i vitit 2013, sipas kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama u shpreh se rritja ekonomike ka sjellë rritje të buxhetit, çka mundëson më shumë para për kategori të caktuara.

Ndër të tjera, Rama shtoi se mazhoranca uli borxhin, teksa është fondi i pagave për sektorin publik ka shkuar në 1.3 miliardë euro.

“I gjithë fondi në dispozicion të shtetit për shërbimet  e përgjithshme publike ishte 3,2 miliardë euro. Në buxhetin 2025 është 8,2 miliardë euro, pra është gati trefish. Asnjëherë, askush tjetër nuk e ka rritur buxhetin e shtetit në njësinë e kohës më shumë sesa gjysma e kësaj rritjeje dhe kjo për t’u treguar zemërgjerë se përgjithësisht ka qenë shumë më pak. Kur kam ardhur në këtë sallë për të paraqitur buxhetin e parë, 168.574 persona me aftësi të kufizuar dhe 105.580 familje me ndihmë ekonomike prisnin prej muajsh pagesën e tyre sepse shteti ju kishte kthyer kurrizin, ishte kërrusur nga barra e borxheve. 40 miliardë ishte borxhi i asaj qeverie ndaj kompanive të ndërtimit dhe shërbimeve apo shiritat e prerë për rrugët e reja që tregoheshin si rrugë të reja, por në fakt ishin rrugë të lëna rrugëve, ndërkohë që kompanitë kishin ndaluar punën sepse nuk i paguante askush, u desh të rimerren dhe të ndërtohen, në pjesën më të madhe, gjatë këtyre viteve, duke kthyer dhe të gjitha borxhet e prapambetura për kompanitë.

Borxhi publik ishte mbi 70%, më i larti dhe më i rrezikshmi në rajon. Buxheti ynë i parë kishte një bonus të Vitit të Ri për pensionistët, 20 mijë lekë të vjetra ose 14 euro. Për bonus për bebet e porsalindura as nuk bëhej fjalë. Këtë fundviti pensionistët do të marrim 150 euro kur kanë pensionin deri në 20 mijë lekë të reja dhe 100 euro për çdo pension më të lartë. Diferenca është e atillë saqë të bën edhe të kuptosh dhe t’i justifikosh zotërinjtë me të cilën bashkë ndajmë këtë çati për përhumbjen e tyre dhe jermin nga i cili nuk dalin dot prej një dekade e kusur. Sot flasim, jo vetëm për 100 milionë euro bonus vetëm për pensionistët, qysh tani, me buxhetin e këtij viti, i cili për pensionet më të ulëta deri në 150 euro çfarë është faktikisht? Është një pension i 13-të prej 150 eurosh dhe po flasim dhe për një fond të ri, i cili do të krijohet në javët në vijim – dhe këtu do jemi, – pranë Bankës së Shqipërisë, të cilin do ta hapim këtë vit për bonusin e pranverës së ardhshme dhe do ta mbajmë për çdo pranverë në funksion të ndarjes me pensionistët të asaj që do të vijë nga rritja ekonomike.

Ndërkohë, deri tani kemi financuar mbi 145 milionë euro për bebet e porsalindura dhe 22 milionë euro të tjera janë në buxhetin e ri për të gjithë ato bebe që do ta gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë vitit 2025. E kemi rritur ekonominë trefish në këtë dekadë, por e kemi ulur borxhin publik me afro 15 pikë përqindje, ndër më të ulëtit në rajon dhe të mos harrojmë se përgjatë rrugës së vështirë për të ardhur deri këtu na u desh ta ri-rrisnim borxhin, kur u goditëm fort dy herë, në fillim nga pandemia e pastaj edhe nga tërmeti. Kur kam ardhur këtu në këtë sallë për buxhetin e parë, kemi vendosur parimin e taksimit të ndershëm dhe sot jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë po e po me zero  taksë dhe zero TVSH për biznesin e vogël deri në 100 mijë euro xhiro dhe me zero taksë deri në 140 mijë euro xhiro ndërkohë që deri përpara ardhjes sonë, biznesi i vogël me xhiro mbi 35 mijë euro paguante taksë 10%, ndërsa ai me xhiro mbi 55 mijë euro paguante taksë 10% dhe TVSH 20%. Jemi zotuar deri në fund të mandatit tonë të katërt që nuk do të ketë asnjë ndryshim në taksimin e biznesit të vogël dhe as nuk ka vitit e ardhshëm, as nuk do të ketë mandatin e ardhshëm. Edhe pse nuk i kemi rritur taksat për biznesin gjatë gjithë harkut të qeverisjes sonë, rritja e vazhdueshme dhe e qëndrueshme ekonomike si dhe përmirësimi i administrimit të të ardhurave të shtetit na kanë munduar një rritje pagash shumë domethënëse.

Dëgjojeni fondin e pagave.  E kemi nisur rrugën tonë me një fond pagash në sektorin publik afro 500 milionë euro dhe në buxhetin që do të miratojmë, Buxhetin 2025, fondi i pagave është më shumë sesa dyfishi, 1,3 miliardë euro. Nga një pagë minimale dje 156euro kemi sot një pagë mini9male 400euro,  nga një pagë të përgjithshme mesatare dje 321 euro kemi sot një pagë të përgjithshme mesatare 751 euro. Nga një pagë mesatare në sektorin publik 371 euro dje kemi sot një pagë mesatare 900 euro, të gjitha të rritura afro 2-fish e gjysmë”, theksoi ai./abcnews.al