Në sheshin para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt ceremonia e përurimit të bustit të ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori. Të pranishëm ishin të majtë e të djathtë, ku nuk munguan as ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ish-ministri Genc Ruli.
Për një orë janë bërë të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë. Në këtë ditë kanë vendosur t’i urojnë rikthimin në shtëpi Pjetër Arbnorit, Mandelës shqiptar siç e kanë emërtuar njeriun që vuajti për 28 vjet në burgjet e komunizmit.
“Sot janë kaq shumë dhe të ndryshë. Të gjithë bashkë nuk u ka mbledhur ftesa ime si kryetar i radhës, por dashuria dhe respekti për Pjetër Arbnorin”, tha Gramoz Ruçi gjatë fjalës së tij.
Në emrin e Pjetër Arbnorit, miku i tij i vjetër Besnik Mustafaj thotë se kjo nuk duhet të shihet si ditë përkujtimi, por reflektimi.
“Në qoftë se sot Pjetër Arbnori do të ulej si deputet në këtë sallë jam i sigurtë se ai përsëri do të ishte kundërshatr politik i Gramoz Ruçit, por me këtë për ngritjen e kësaj statuje, ai do ta falenderonte pa ngurrim”, u shpreh Besnik Mustafaj.
Të vonuar e sheh Besnik Mustafaj vendosjen e simbolikës që përfaqëson Pjetër Arbnori, duke i kërkuar falje në emër të të gjithë politikës dhe shoqërisë shqiptare. Megjithatë më e rëndësishme për ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin e Partisë Demokratike ka qenë zgjedhja e lirë dhe moscënimi i votës.
“Këshilla e Pjetër Arbnorit sot për ju do të kishte qenë: Jepuni mundësi shqiptarëve të zgjedhin kush do të qeverisë nisur nga programet dhe jo nga individët”, tha Mustafaji.
Në lulishten e Parlamentit të Shqipërisë bustin e Pjetër Arbnorit të realizuar nga skulptori Sadik Spahia e zbuloi ish-kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e Arbnorit.
Pjetër Arbnori u nda nga jeta në 8 Korrik 2006 në moshën 71-vjecare. Ai u arrestua në moshën 26-vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç. Hyrja në grevë urie në vitin 1997 të Pjetër Arbnorit. i cili kërkonte të moscensurohej fjala e opozitës në televizionin shtetëror tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.
12 vjet pas vjekjes së tij Pjetër Arbnori i ka bashkuar sërish politikanët madje edhe ata refuzojnë të hyjnë në selinë e Partisë Demokratike./abcnews.al