Bushati me të rinjtë: Besojmë në hapjen e negociatave në fund të muajit

schedule15:03 - 11 Qershor, 2018

schedule 15:03 - 11 Qershor, 2018

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati beson në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në fund të këtij muaji. Është kjo përgjigja që i ka dhënë një grupi studentësh të cilët e kishin thirrur në interpelancë për temën perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Janë një grup studentësh që i kërkojnë ministrit Ditmir Bushati se ku është Shqipëria me ecurinë e procesit të negociatave.

“Zoti ministër a besoni ju se do ketë hapje negociatash për ne?”

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme u shpreh besimplotë se negociatat do të hapen në fund të muajit qershor.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet anëtare të BE-së. Puna nuk ka ndalur sepse ne kemi besuar gjithnjë që rekomandimi i KE-së duhet lexuar si një nxitje dhe inkurajim i mëtejshëm sidomos përsa i përket vijimit të reformave dhe thellësisë së tyre”

Sipas ministrit Bushati reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian janë realizuar.

“Mjafton të shohësh Vettingun në institucionet e drejtësisë për të kuptuar që e  gjithë hierarkia e lartë e sistemit aktual të drejtësisë është në njësitë mjaft të imët. Dita-ditës besojmë se po tregojmë se në këtë proces ka besueshmëri të plotë dhe ne po arrijmë pikën e moskthimit pas”.

Synimi i qeverisë është që me uljen në tryezën e bisedimeve të hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian që nuk do të mbyllet nesër,sipas ministrit Ditmir Bushati por do të ketë përpara sfida. /abcnews.al