Bushati: Marrëdhënia shqiptaro-serbe ka një elefant në dhomë që është Kosova

schedule13:35 - 3 Tetor, 2018

schedule 13:35 - 3 Tetor, 2018

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati i kërkoi politikanëve serbë që të lenë retorikën e shekullit 19, sepse nuk i bën nder diskutimeve të sotshme që janë të përqendruara në procesin e pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve. Këtë deklaratë ministri Bushati e bëri në konferencën “Serbët dhe shqiptarët” të mbajtur në Tiranë.

Miqësitë  dhe armiqësitë kanë shoqëruar marrëdhënien Shqipëri-Serbi që prej vitit 1912. Përplasjet më të shumta kanë ndodhur për ndarjen e territoreve.

106 vjet më pas kanë pësuar shumë ndryshime, por Kosova nuk ka mundur t’i shpëtojë debateve edhe pse sot është një shtet i pavarur.

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati i kërkon homologut serb të mos i kthehet më të shkuarës por të shohë përpara.

“Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka thënë se Kosova është zemra e Serbisë dhe kosovarët janë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Kjo është retorikë e shekullit XIX dhe nuk i bën nder diskutimeve të sotshme që janë të përqendruara në procesin e pajtimit dhe normalizimit”.

Shqipëria kërkon vendosjen e normalizimit të marrëdhënieve, u shpreh ministri Bushati duke i kujtuar fqinjëve se Kosova ka të gjithë vëmendjen e qeverisë shqiptare.

“Marrëdhënia shqiptaro-serbe ka një elefant në dhomë që është Kosova, që ka përfaqësuesit e saj që flasin në interesin e saj, por edhe qëndrimi jonë është i qartë: procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk zëvendësohet nga një raport i mirë Shqipëri-Serbi, por përplotësohet”.

Ministri Ditmir Bushati i dha këto deklarata në konferencën e organizuar në Tiranë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe agjencia e lajmeve serbe,  Tanjug, me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”.

Për numrin një të diplomacisë shqiptare dy vendet kanë shumë pika të përbashkëta  dhe  një tendencë për të kaluar stereotipet.

“Marrëdhëniet me Serbinë janë në progres e sipër. Vendet tona duhet të kalojnë plagët e së kaluarës dhe ka shenja për këtë”.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe Eurodeputeti Hannes Swoboda duke i vënë në dukje shqiptarëve dhe serbëve që të marrin përgjegjësi për vete dhe për rajonin.

Svoboda: “Ajo që është e rendësishme është se të dyja palët do të marrin përgjegjësi jo vetëm për vete por dhe për rajonin, sesi njerëzit mendojnë për njëri-tjetrin dhe jetojnë pranë njëri-tjetrit, por jo me kokën mbrapa por duke parë të ardhmen”.

Ky aktivitet me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?” vjen pas konferencës me të njëjtën temë të zhvilluar më 10 korrik në Beograd. /abcnews.al