Bushati kritik: Sistemi, i mpirë nga grykësia e paaftësia

schedule15:05 - 12 Shtator, 2019

schedule 15:05 - 12 Shtator, 2019

Ditmir Bushati, si nga selia e Partisë Socialiste, edhe në foltoren e Kuvendit, mbajti një fjalim kritik mbi gjendjen në vend, duke thënë se grykësia dhe paaftësia po shkatërrojnë shpresën dhe se vendi ka nevojë për ndërtimin e një sistemi vlerash. Ish-ministri u shpreh i shqetësuar për përqendrimin e parave në pak njerëz.

Tashmë që Edi Rama e ka lënë jo vetëm pa karrige në qeveri, por edhe pa post në parti, Ditmir Bushati nuk rezervohet për të përshkruar atë që po ndodh tashmë në Shqipëri sipas optikës së tij.

“Jemi duke përjetuar një krizë vlerash, e cila nuk vjen nga përtacia, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës, që vjen nga grykësia dhe paaftësia për të ndërtuar një sistem vlerash”, tha Bushati.

Bushati kërkon një reflektim të thellë kombëtar, në raport me botën dhe me procesin integrues po ashtu.

“Duhet të bëhemi bashkë për të përcaktuar qëllimet se ku do të jetë Shqipëria pas 20 apo 30 vitesh. Këto objektiva duhet të kenë diasporën në qendër të tyre. Ta bëjmë këtë vend më të jetueshëm më të drejtë, t’i vendosim etiketën për çfarë duhet të njihemi. Evropa ka jetuar 550 vjet pa Shqipërinë, mund të jetojë edhe 500 të tjera”, tha Bushati.

Ish-ministri, nuk e sheh problemin vetëm tek njëri krah, por një shqetësim duket se e ka të njëjtë me Lulzim Bashën.

“Kjo nuk është një çështje e majtë apo e djathtë, më shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish. Më shqetëson që të eksportojmë kapital njerëzor në 30 vite. Më shqetëson fakti që edhe pse duam të hapin bisedimet me BE-në nuk kemi 50 njerëz nga diaspora për të modernizuar Shqipërinë për një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm”.

Ky është fjalimi i dytë kritik në parlament që mban Ditmir Bushati. Përpara zgjedhjeve, ai ju kërkoi kolegëve të tij socialistë të mos bëheshin arrogantë, por të komunikonin me opozitën reale, atë jashtë parlamentare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!