Shqiptari vrau gruan në Greqi, fëmijët e çiftit ende s’dinë asgjë, daja merr përsipër t’u japë lajmin

schedule08:01 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 08:01 - 7 Dhjetor, 2021

Fëmijët e çiftit shqiptar ku ndodhi krimi i rëndë një ditë më parë në Greqi janë në  gjendje të rëndë psikologjike. Një ditë pasi babai i tyre vrau nënën, fëmijët janë marrë nga vëllai i viktimës i cili jetonte në po të njëjtin fshat me të motrën.  Tani bashkë me psikologen e bashkisë ata kanë marrë përsipër të informojnë fëmijët për realitetin e ri me të cilin duhet të mësohen të jetojnë.

Tronditja për dy fëmijët bëhet akoma më e madhe pasi të dielën nga postimet e burrit vrasës dhe djalit 10-vjeçar duket se familja kishte kaluar momente të lumtura. Fotoja ku çifti shfaqen shumë pranë një tjetrit e postuar në Facebook pak orë pas krimit është realizuar nga djali i tyre, i cili po ashtu ka hedhur në rrjete sociale një foto me nënën dhe babanë e tij.

Vëllai i Elonës që mbeti viktimë e sulmit të të shoqit ka deklaruar se çifti kishin qenë të martuar prej 10 vitesh ndërsa pak orë pas krimit ai kishte qenë me motrën e tij.

“Kanë 10 vite të martuar. Ishin të qetë. Nuk kanë pasur probleme, shkonin në punë bashkë. Ne shkuam dje me motrën në kafe në orën 08:00-08:30. Më pas ajo u largua për në shtëpi për të gatuar për fëmijët. Ata ishin në dhomën ngjitur dhe nuk kuptonin asgjë. Ne i kemi marrë dhe i kemi sjellë në shtëpinë time”, ka deklaruar ai.

Bashkëfshatarët e çiftit janë të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë pasi thonë se në tre vite që ata kishin jetuar në këtë zonë nuk kishin shfaqur probleme.

Çifti shqiptar merreshin me bujqësi që nga dita e parë kur ishin vendosur në fshat.

“Çifti jeton në zonë që prej tre vitesh. Ata merreshin të dy me bujqësi. Nuk kishin shumë raporte me banorët e tjerë të fshatit. Se çfarë ka ndodhur askush nuk e di” thonë ata.

Autori nuk kishte pasur precedentë të mëparshëm penalë ndërkohë që 36-vjeçarja nuk kishte bërë asnjëherë denoncim për dhunë në familje. Megjithatë disa nga fqinjët e tyre thanë se pak orë para krimit ata kishin debatuar me zë të lartë. Duket se pas sherrit 40-vjeçari e ka mbytur gruan e tij me duar dhe më pas ka dalë nga shtëpia duke lajmëruar policinë. “Unë me siguri sapo mbyta gruan time”, i ka thënë ai punonjësve të policisë.

Kur policia mbërriti në shtëpinë e familjes shqiptare e gjeti gruan të vdekur në fshat ndërkohë që ai qëndronte i ulur pranë saj. 40-vjeçari fillimisht i tha policisë se debati kishte nisur sepse ajo donte ta linte. m.v/Abcnews.al