Gjykata e Fierit la në burg tre grabitësit që sulmuan të premten një pikë të këmbimit valutor në Fier, duke terrorizuar banorët. Njëri prej grabitësve, Lulezim Demiraj u shpreh i penduar që kishte qëlluar me armë mbi pronarin dhe mikun e tij Agur Vernozin, i cili humbi jetën.
I penduar apo duke aktruar, Lulëzim Demiraj ka mbërritur në gjykatë, por nuk e mbajnë këmbët kur ngjit shkallët. I vetëdijshëm që po filmohet ngashërehet para kamerave.
Demiraj u njoh me masën e sigurisë bashkë me dy shokët e tij Zini Fyraj dhe Dashamir Gergali. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në masa të rrepta sigurie.
Në vetëm 30 minuta per të 3 autorët e grabitjes së të premtës në Fier u vendos arrest me burg pa afat. Asnjë nga familjarët e të pandehurve nuk ishte i pranishëm në seancë.
Demiraj dhe Fyraj grabitën me armë pikën e këmbimit valutor duke plagosur pronarin dhe vrarë një të afërm të tij. Dashamir Gergali ishte në rolin e shoferit dhe i priti me makinë 2 km larg vendit të ngjarjes.
Në ikje Demiraj i cili mbante një kallashnikov në dorë qëlloi 2 herë, një herë drejt pronarit Gëzim Hoxha i cili u plagos në këmbë dhe drejt Agur Vrenzoit i cili u godit në ballë.
Ky i fundit vdiq në spitalin e traumës në Tiranë. Vrenozi tentoi t’i qëllonte grabitësit me karrige në çastin kur po dilnin prej këmbinit valutor pasi morën 6 mijë euro dhe 400 mijë lekë.
Të tre u larguan drejt fshatit Baltëz aty ku braktisën makinën dhe u fshehën në zonë. I pari u kap Dashamir Gergali bashkë me paratë, me pas Demiraj dhe Fyraj.
E gjithë ngjarja është zhvilluar nën ulërimat e pronares së këmbimit çka përcolli një situatë paniku te tregtarët përreth.
Mendohet se kjo situatë ka ndikuar në reagimin e viktimës për t’i qëlluar me karrige autorët, por edhe te këta të fundit për t’u largaur sa më parë nga vendngjarja.
Fyraj ka qënë i proceduar më herët për grabitje, por burime nga grupi hetimor thanë se edhe Demiraj pavarësisht se nuk është e dokumentuar ka qënë i dyshuar për një vjedheje në zonën e Vlorës./abcnews.al