Burg për stomatologen mashtruese

schedule11:04 - 26 Shtator, 2019

schedule 11:04 - 26 Shtator, 2019

Gjykata e Apelit në Durrës ka dënuar me 6 vite e 8 muaj burg stomatologen Olesia Duka. 40-vjeçarja mashtronte biznemene të ndryshëm, duke u marrë miliona lekë me argumentin se do t’i investonte. Stomatologia Olesia Duka është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg nga Gjykata e Apelit Durrës për akuzën e mashtrimit në vlerën e disa miliona Eurove.

Apeli rrëzoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar me 10 vite burg për të njëjtën vepër penale, duke i ulur 3 vite e 4 muaj burg. Por Duka nuk do të ndalet me aq, ajo pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, duke shpresuar të ule akoma edhe me shumë dënimin.

40-vjeçarja, sipas prokurorisë i kishte marrë disa miliona Euro biznesmenëve në Durrës dhe Tiranë me argumentin se do t’i investonte në klinika të ndryshme dentare dhe me pas do t’ua kthente. Madje për ta bërë të besueshme stomatologia kishte nënshkruar edhe kontrata noteriale me ta.

Organi i akuzës më herët kërkoi 15 vite heqje lirie për Duken, por duke qenë se ajo kërkoi gjykim të shkurtuar përfitoi uljen e dënimit me 1/3. 40-vjeçarja u arrestua në Shkurt të vitit të kaluar pas një denoncimi të bërë nga pronari i një zyre të këmbimit valutor në Durrës.

Këtij personi, Olesia Duka i kishte marrë 900 mijë Euro, ndërsa fatin e tij patën edhe biznesmenë të tjerë. Nga kjo skemë dyshohet se ajo ka përfituar më shumë se 2 milionë euro. Duka prezantohej si një stomatologe e suksesshme me disa klinika në Shqipëri dhe shpesh shfaqej në evente të ndryshme bamirësie./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!