Bullizmi në shkolla/ Tirana e para, Selenica renditet e fundit. Edhe dhunë fizike e psikologjike në institucionet arsimore

schedule15:34 - 5 Shtator, 2023

schedule 15:34 - 5 Shtator, 2023

Ngacmimi, fyerjet dhe talljet janë format më të shpeshta të dhunës në shkolla tona. Bullizmi ndiqet  nga dhuna psikologjike, fizike dhe shantazhi.  Nuk mungojnë as tentativat apo vetëvrasjet dhe dhuna seksuale ndonëse më të rralla.

Kjo del në pah nga një raport i Ministrisë së Arsimit sipas të cilit vitin e shkuar shkollor në institucionet arsimore u konstatuan 2750 raste dhune  ose  mesatarisht 2  raste për shkollë.

Më shumë  prej tyre ndodhën  në zonat urbane se ato rurale, në shkollat publike se private dhe në arsimin e mesëm të lartë  se në atë bazë.

Kryeson Tirana me 873 raste dhe në fund renditet Selenica me asnjë rast.

Dhuna më shpesh ka ndodhur mes nxënësve.  Fëmijët kanë raportuar gjithashtu dhe dhunë të prindërve, mësuesve apo personave të tjerë ndaj tyre.  Por dhe mësuesit kanë treguar se janë dhunuar nga nxënësit  dhe prindërit nga fëmijët.  Dhuna ka ndodhur në klasa ku nuk kanë qenë të pranishëm mësuesit, jashtë mjediseve të shkollës dhe në familje.

Shumë prej konflikteve në shkollë janë zgjidhur me njoftimin e prindërve por ka pasur raste dhe kur është dashur ndërhyrja e policisë.

Në raportin edukimi kundër dhunës dhe parandalimi i saj në shkollë  theksohet nevoja për ndërtimin e një sistemi për raportimin e rasteve në kohë reale,  hartimin  e  programeve prandaluese dhe ndërgjegjësimin e komunitetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!