Buka me kripë, por kripa “pa karar”/ Studimi i ISHP: Sasia e kripës në bukë, më e lartë se norma

schedule16:00 - 25 Qershor, 2024

schedule 16:00 - 25 Qershor, 2024

Vetëm nga konsumi i 100 gramë bukë shumë persona në Shqipëri marrin afro gjysmën e sasisë së kripës se rekomanduar në ditë.

Kjo sipas një studimi që specialistë të  shëndetit publik kanë kryer në furra të bukës në nëntë qarqet kryesore të vendit.

Por bashkë me kripën  marrë  nga ushqime të tjera Organizata Botërore e Shëndetësisë i rendit shqiptarët ndër popujt që kalojnë sasinë e lejuar deri me dyfish.

“Rreth 11.6% e kampioneve që ne kemi marrë në studim e kalojnë 2% ndërsa 19.6%  janë 1.2 deri në 1.4 %  kripë në bukë. Shihet që edhe brenda një furre buke ne kemi një sasi kripe dhe 2% dhe 1.2%. 

Vetë ekzistenca e një sasie mbi 2% në bukë në shumë kampione duhet të luftojmë në mënyrë që kripa të mos përdorët në sasi të patolerueshme nga personat pasi sasinë e kripës në bukë ne nuk e kontrollojmë dhe ndërkohë konsumojnë dhe kripë me produkte të tjera”, tha kimistja Enkelejda Kadiu.

Një person duhet që  të konsumojë rreth 5 gramë kripë në ditë gjë që shpesh në Shqipëri duke menduar dhe traditat dhe mënyrën e të gatuarit  nuk është shumë e zbatueshme se ka që   dhe mund  konsumojnë mbi 7, 8 gramë në ditë deri në 10 gramë.

Përdorimi i kripës tej normave shoqërohet me një sërë problemesh shëndetësore.

Arsye kjo që specialistë të shëndetit publik  po përgatisin një paketë masash përfshirë uljen e  standardit shtetëror për sasinë e  kripës në bukë.

“Në fakt ne kemi një standard shtetëror që nuk ka lëvizuar prej vitit 1980 ai rezulton deri në 2% kripë në bukë. Ne kemi shumë probleme  dmth me impaktin që kemi në shëndetin e njeriut duhet të zvogëlohet patjetër.  Kripa ka impakt direkt në shëndet, problemet e zemrës, me mëlcinë, me veshkat. Sipas  direktivave europiane ne duhet të konsumojmë  1.2 -1.4 gramë kripë në 100 gramë bukë që i bie 1.2 deri 1.4% kripë”.  

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka rekomanduar shteteve që  të ndërmarrin politika me qëllim që popujt   deri vitin e ardhshëm të reduktojë sasinë e kripës  deri në tre gramë në ditë për person dhe prej bukës të mos merret më shumë se  1.4%  e saj. Masë kjo që sipas specialistëve të shëndetësisë  do të ulte barrën e sëmundjeve  jo të transmetueshëm dhe do të reduktonte  rreth 1.8 milion vdekje çdo vit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!