Nga Erblina Mile
Rritja e çmimeve parashikohet të jetë më e fortë në muajt e mbetur. Sipas Bankës së Shqipërisë bizneset dhe konsumatorët kanë vlerësime më të errëta për ecurinë e inflacionit në vend.
Pritjet e bizneseve qëndrojnë në nivele më të larta krahasuar me agjentët e tjerë të ekonomisë. Kështu, ata presin që inflacioni të arrij në 12.7% ndërsa Konsumatorët vlerësojnë se inflacioni mund të arrij në nivelin 9.1%. Bizneset dhe qytetarët kanë parashikime pesimiste edhe për vitet e ardhshme.
Ata presin që inflacioni pas një, dy dhe tre vitesh të jetë përkatësisht 6.0%, 4.6% dhe 3.9% vlera këto që qëndrojnë lart objektivit të Bankës së Shqipërisë .Drejtori i Departamentit të Politikës monetare erald Themeli theksoi se Banka e Shqipërisë është detyruar të rrisë normën bazë të interesit për të stabilizuar çmimet pavarësiht efekteve negative në shtrenjtimin e kredive.
Inflacioni ka dhënë efektet e para në ecurinë ekonomike. Aktiviteti ekonomik në vend erdhi në ngadalësim në tremujorin e dytë. Ritmi i rritjes ekonomike zbriti në 2.2%, duke qenë më i ulët se pritjet dhe më i ulët se norma 6.5% e regjistruar në tremujorin paraardhës. Fillimi i luftës në Ukrainë dhe sanksionet që pasuan ndaj Rusisë, shkaktuan një valë të re të rritjes së çmimeve të lëndëve të para në tregjet e huaja.
Kriza energjetike dhe inflacioni i lartë pritet të dobësojnë investimet dhe të gërryejnë edhe më tej konsumin. /abcnews.al/

