Që nuk është një moment i mirë, kjo ishte kuptuar, por situata e Armando Brojës është më kritike.
Konfirmimi për këtë vjen nga vetë trajneri i Burnley, Scott Parker, I cili ka hedhur dritë mbi gjëndjen e sulmuesit të kombëtares së Shqipërisë.
Ai do të mungojë për disa javë të tjera dhe nuk bëhet fjalë për një zgjedhje teknike, siç ishte folur kohët e fundit, por për një dëmtim që ndez sirenat e alarmit te përfaqësuesja kuqezi.
“Nuk do ia dalë për fundjavën. Për të qenë të drejtë, po kalon një problem prej disa javësh dhe duhet të ndërhynim. Nuk do të jetë për shumë gjatë, shpresojmë për pak javë nga tani, por e sigurt që nuk do të jetë i gatshëm për këtë fundjavë”
Trajneri i Burnley nuk ka dhënë detaje për dëmtimin apo shkallën e tij, duke shtuar më shumë dyshimet nëse Armando Broja do të jetë I gatshëm për sfidën historike të kombëtares shqiptare në play off e “Botërorit 2026” kundër Polonisë më 26 mars.
Sulmuesi kuqezi ndalet në një moment deçiziv. Ai kishte nisur të luante me vazhdimësi te Burnley në Premier League, në gjashtë ndeshje si titullar dhe dy të tjera si zëvendësues, ndërsa gjeti edhe golin e parë. Por në dy javët e fundit, ai qëndroi jashtë ekipit dhe arsyeja e zbuluar nga trajneri i tij nuk është aspak optimiste.


