Piktori Orion Shima ka hapur në galerinë “Fab” ekspozitën “Brio”. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ai ka ndarë detaje lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar se frymëzimin e ka marrë nga muzika klasike.
Shima ka theksuar se për të pasur një lloj ideje e ka shtyrë sfida me orkestrën e madhe, por dhe një grup kompozitorësh të ndryshëm, si klasikë, modernë dhe romantikë.
“Mua gjithmonë më ka pëlqyer muzika klasike, por kësaj radhe vendosa ta ndjeja në një formë më piktorike. E kam frekuentuar shpesh operan për të thithur atë lloj memorie vizive që mua do më duhej për të krijuar personazhet dhe tablotë, të cilat janë krijuar jo në bazë të një materiali fotografik, por në bazë të një memorie, sepse më interesonte që ajo do të mund të krijoja të ishte më shumë një lloj muzike e brendshme. Mendoj që kjo është një nga mënyrat që përceptohet muzika, ose më saktë mënyra se si unë e përceptova muzikën. Një grup kompozitorësh të ndryshëm më kanë frymëzuar, sigurisht klasik, romantik, kompozitorë modernë, por sfida me orkestrën e madhe më ka shtyrë dhe drejt një lloj ideje. Një orkestër është si një betejë dhe ndonjëherë më ka çuar drejt periudhës së Rilindjes. Ndonjëherë harqet marrin një lloj dinamike, gati gati duket sikur aty ndodh një betejë, në fakt aty është një betejë, por tingujsh, një betejë harmonish. Ka qenë sa sfiduese, por dhe aq e bukur ta realizoja”, u shpreh Shima./abcnews.al