Një “brez i humbur” rrezikon të lihet pas nga pandemia e koronavirusit, pasi arsimimi i qindra milionë fëmijëve varet në fije të perit, paralajmëron një studim i ri. Ndërsa shkollat po rihapen në pjesën më të madhe të botës pas pushimeve verore, një e katërta e vendeve kryesisht në Afrikë kanë sisteme arsimore që janë në rrezik ekstrem ose të lartë të kolapsit, sipas “Save the Children”.
OKB vlerëson se për herë të parë në histori, rreth 1.5 miliardë fëmijë u lanë jashtë shkollës gjatë pandemisë, me të paktën një të tretën e tyre pa qasje në mësimin elektronik. Ndërsa shumica e botës në zhvillim përballet me kriza të njëkohshme të varfërisë ekstreme, koronavirusit, ndryshimit të klimës dhe dhunës, frika po ngrihet për një brez të humbur.
“Save the Children” zbuloi se sistemi arsimor i tetë vendeve është në rrezik ekstrem. Më të rrezikuarit janë Kongo, Nigeria, Somalia dhe Afganistani. 40 vende të tjera, përfshirë Jemenin, Burkina Faso, Indinë, Filipinet dhe Bangladeshin, janë në rrezik të lartë. Ekziston frika se nga 10 deri në 16 milionë fëmijë janë në rrezik të mos kthehen kurrë në shkollë, me vajzat që janë më të prekshme./ db/Abcnews.al