Britania do të pezullojë lëvizjen e lirë për qytetarët europianë sapo Brexit të konkretizohet. Në fjalimin për marrëdhëniet e ardhshme me BE-në, kryeministrja Theresa May ka konfirmuar edhe daljen e Mbretërisë nga unioni doganor.
Kryeministrja britanike, Theresa May, ka paralajmëruar Bashkimin Europian me masa drastike pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni, duke ashpërsuar gjuhën me Brukselin.
Së pari, “lëvizja e lirë e njerëzve do të marrë fund, me rekuperimin e kontrollit të kufijve nga ana e qeverisë së Londrës”, ka deklaruar May. Më pas, ka vijuar kryeministrja, edhe juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të marrë fund kur Brexit të jetë konkretizuar.
Në fjalimin për të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në, May ka folur për nevojën e një mekanizmi të pavarur arbitrazhi, pasi nuk mund të jetë vetëm njëra palë që të japë verdiktin për çështjet e ardhshme tregtare. Shefja e qeverisë i ka qëndruar pozicionit të mëparshëm të saj se Britania do të braktisë unionin doganor të BE-së dhe tregun e përbashkët, në mënyrë që të nënshkruajë marrëveshje të reja tregtare me vende të tjera të botës.
“Vazhdimi i partneritetit doganor mund të mbajë të njëjtat tarifa për mallrat që kanë si destinacion BE-në, por tarifa të ndryshme për ato mallra që hyjnë në Britani”, ka vijuar May. Kryeministrja ka patur një mesazh edhe sa i takon “flirtit” të Unionit me Irlandën e Veriut, duke paralajmëruar se çdo kufi doganor që cënon tregun e përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar do të jetë i papranueshëm./abcnews.al