“Jam krenar dhe i befasuar nga euforia që rrethon ekipin tonë në Shkodër. Kemi zgjuar një qytet të tërë. Nëse do të kemi sukses deri në fund të sezonit, do të ishte një çmenduri. Jemi figura e kampionatit për momentin, si Bayern Munich në Gjermani”, thotë mes të tjerash Thomas Brdaric, trajneri që ka bërë Shkodrën të gëzojë në një moment të vështirë që po kalon i gjithë globi.
Vllaznia kryeson kampionatin me 9 pikë më shumë se Partizani ndjekës dhe tifozët nëpër Shkodër veç për ekipin e zemrës flasin. Kurrsesi ata nuk janë të ftohtë dhe Brdaric ua tregon këtë edhe gjermanëve në intervistën e dhënë për “SportBild”. “Tifozët janë ndryshe këtu. Ju jap një shembull. Kur fituam për herë të fundit me Bylisin në Ballsh, tifozët na përshëndetën me 500 makina.
Na pritën në hyrje të qytetit dhe në shoqëruan përmes Shkodrës me këngë e brohoritje. Kurrë nuk e kam përjetuar diçka të tillë, ishte e jashtëzakonshme. Nuk ndihesha rehat, pasi ende nuk kemi arritur asgjë. Nga na tjetër jam i lumtur për këto momente që njerëzit përjetojnë në një periudhë të vështirë si kjo. Ne përpiqemi t’u kthejmë atyre një pjesë të gëzimit, shpresës dhe entuziazmit”.
“Vështirësitë e para? Duhet të mësohesha me kushtet e trajnimit, pasi këtu është e vështirë. Kushtet nuk janë si në ligat e mëdha të Europës. Kanë dy stadiume, i yni dhe ai në Tiranës, që krahasohen me ato në Bundesliga. Por kanë edhe disa që ju bëjnë të ndiheni sikur jeni në një botë tjetër: një fushë sportive dhe një tribunë të vogël. Kanë vetëm gjërat e domosdoshme për t’u zhveshur në dhomat e zhveshjes.
Ndonjëherë them me vete se duhet të marrësh shtigje të pakëndshme për të ecur përpara. Puna ime këtu është një sfidë, duke u përballur me këto kushte të vështirë. Gjithsesi kjo më forcon dhe më rrit mua. Jam i lumtur që ia kam dalë të ndez zjarrin brenda lojtarë të mi. Secili prej nesh mund ta përdorë Vllazninë për gjerë më të mëdha në të ardhmen”.
“Bundesliga objektivi im? Pak rëndësi ka liga, është dytësore për mua. Për adhuruesit e futbollit këtu, futbolli gjerman është mbi të gjithë. Shkodra është shteti (landi) i 17-të gjerman (qesh). Njerëzit janë të çmendur për Gjermaninë, për ekipin kombëtar. Thomas Mullr dhe Manuel Neuer janë heronj këtu”.
“Trajneri që më frymëzon? Kam zhvilluar stilin tim, por jam i hapur për përmirësim/ kam mësuar nga emra të shquar si Ralf Ragnick te Hannover dhe nga Christoph Daum te Leverkusen. Tani po studioj ndeshjet e Jurgen Klopp te Liverpool dhe Pep Guardiola te City. Ata më frymëzojnë. Lojtarët ndihen rehat me ta dhe nëse kjo ndodh atëherë japin maksimumin e tyre”.
“A vuan me Tim? Aspak. I drejtohem atij si çdo lojtar tjetër. Gjatë trajnimit e injoroj faktin që është djali im. Ai është një lojtar me perspektivë. Unë mundohem ta mbështes, në mënyrë që të arrijë synimet që ka. Jetojmë së bashku në një apartament, në mes të qytetit. Shikojmë bashkë ndeshje, ose shijojmë natyrën e mrekullueshme këtu. Më pëlqen të qëndroj në restorantet pranë liqenit të Shkodrës, si dhe të konsumoj peshk”. /abcnews.al