Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë, në prag të ndeshjes me Laçin ka dalë në konferencën për shtyp dhe ka folur për këtë duel që zhvillohet të premten prej orës 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Gjermani ka folur edhe për tema të tjera, veç përballjes me kurbinasit.
“Kemi shumë energji për nesër, jemi përgatitur të japim maksimumin kundër Laçit. Tre ndeshjet e fundit kanë qenë shumë pranë dhe në terrene të vështira. Nesër luajmë në shtëpi dhe shpresoj të mos ketë shi, që të zhvillojmë lojën tonë të zakonshme”.
“Mungesa e Krymit? Kemi një alternativë tjetër nesër, edhe pse mungon Krymi. Lojtarët e afruar janë gati. Laçi ka një ekip serioz dhe një trajner të mirë. Shpresoj që të japim më të mirë. Nesër do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe duhet të jemi të përgatitur”.
“Ju tremb Laçi, apo Vllaznia duhet t’i trembë të tjerët? Jemi në një vend komod dhe kemi merituar gjithçka. Duhet të shohim përpara dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Hakmarrje? Po, kemi humbur ndeshjen e parë atje. U mërzitëm pas asaj ndeshje. Kemi mësuar nga humbja me Laçin dhe Kukësin”.
“Sa i takon golave të munguar, është një proces. Të gjithë duhet të bëjnë detyrat. E rëndësishme është që jemi një ekip, luajmë në mbrojtje e sulm së bashku. Është shumë e rëndësishme si sillemi në fushë. Do shkojmë me të gjitha forcat në sulm dhe të shohim se çfarë do të bëjmë”.
“Formacioni? Do shohim formën e lojtarëve në seancën e fundit stërvitore. Nesër do të vendos se kush do të luajë nga fillimi kundër Laçit. Nuk do të ketë një surprizë të madhe dhe e dinë lojtarët tanë”. /abcnews.al