Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë, në prag të ndeshjes me Bylisin ka folur për mediat dhe vë theksin te marrja e tre pikëve. Gjermani këtë herë do ishte dakord edhe të mos luanin bukur, ndërkohë që kërkon nga skuadra e tij t’u tregojë të gjithëve pse e kanë kryesuar kampionatin në shumicën e garës.
“Golat e paktë javët e fundit? Nuk është normale ajo që kemi bërë deri tani. Kemi shënuar vetëm një herë nga penalltia, por kemi krijuar raste. E gjithë kjo nuk më bën të ndihem mirë. Nesër e kemi objektivin e qartë, duhet të jemi të gjithë së bashku dhe besoj se do të vijë rezultati”.
“Hakmarrje? Është një tjetër ndeshje, jemi në fund të sezoni dhe e dini që Bylisi tenton mbijetesën dhe kanë tension të madh. Ne do mundohem të bëjmë lojën tonë, edhe pse e dimë që atje është një terren i vështirë. Shpresoj të japim më të mirën”.
“Tension te Vllaznia? Duhet të mësohemi me presionin, jemi profesionistë. Ata që nuk janë në gjendje të përballen me këtë presion, nuk janë. Do tregojmë një fytyrë të mirë nesër. Ekipi e di me çfarë do përballet, jemi përgatitur shumë mirë dhe shkojmë për të marrë tre pikët”.
“Titulli? E di që kjo pyetje qëndron, pasi për shumë gjatë kemi qenë në vend të parë. Duhet vetëbesim dhe të japim maksimumin, asgjë tjetër. Nëse do luajmë si në ndeshjet e fundit, vetëm me fat mund ta fitojmë ndeshjen e nesërme”.
“Përgjegjësia totale e trajnerit në fund? Nuk është koha për këtë pyetje. Të gjithë lojtarët janë marrë pasi kemi biseduar me Matkon dhe Suadin. Tani është koha ta shijojmë, pasi kemi katër ndeshje në kampionat dhe finalen e Kupës së Shqipërisë”.
“Taktikën e kemi, por nuk e di se çfarë terreni na pret nesër. Nuk është nevoja për lojë të mirë, na duhen pikët këtë herë. Secili lojtar duhet të jetë në maksimumin e tij dhe të punojë për skuadrën. Victor Da Silva është i rëndësishëm për ne, por luajmë me 11 lojtarë dhe nesër do tregojmë pse kemi qenë 28 javë në krye të kampionatit. Kryesore janë pikët, do luajnë 11 lojtarë dhe do të bëjnë më të mirën”. /abcnews.al