Brdaric: Të ishim perfekt do renditeshim të parët, Vllaznia funksionoi

schedule19:17 - 13 Shkurt, 2022

schedule 19:17 - 13 Shkurt, 2022

Thomas Brdaric ka komplimentuar skuadrës e tij pas fitores me katër gola ndaj Teutës. Trajneri gjerman, për Supersport u shpreh: “Përgjithësisht trajneri nuk është kurrë plotësisht i kënaqur. Sot isha 85% i kënaqur. Humbëm kontrollin e lojës vetëm në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, por jam i kënaqur, po përmirësohemi dhe komplimente ekipit”.

“Dy golat që pësuam? Nëse gjërat do të kishin shkuar shumë mirë, besoj se do ishim në vend të parë, pasi jemi ekipi që kemi më shumë raste në kampionat. Teuta është ekipi kampion, nuk janë ekip i keq, ata shfrytëzuan rastet e tyre”.

“Ishte një ndeshje solide, ndeshje e mirë nga ana jonë. Pashë një Vllazni që funksionoi shumë mirë, perfekt nuk është askush. E thashë që jemi në përmirësim si ekip”, shtoi Thomas Brdaric, pas ndeshjes.

“Adili? Pësuam dy gola të thjeshtë pas dy topave të gjatë. Menduam t’i jepnim ekipit më shumë stabilitet, prandaj futëm Adilin. Nuk është se Mustedanagic po luante keq, thjesht kryem një ndërrim taktik, që rezultoi vendim i mirë, pasi Adili na dha stabilitet”.

“Shënimi i golave? Unë mendoj se kemi një bërthamë të mirë dhe të shëndetshme. Nuk duhet të na bijë rendimenti, duhet të fitojmë për t’u bërë presion ekipeve sipër nesh. Fitoret vijnë duke shënuar gola, por e përsëris: ka rëndësi të mos e ulim rendimentin tonë”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!