Moment shumë i mirë te Vllaznia. Fitorja ndaj Laçit në mesjavë siguroi kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë (kuqeblutë do të diskutojnë trofeun kundër Skënderbeut) dhe morali në skuadrën shkodrane është i lartë.
Nesër është radha e kampionatit, Vllaznia luan në Fier kundër Apolonisë (13:00), sfidë që duhet fituar për objektivin titull. Trajneri Thomas Brdaric foli në konferencën për shtypin rreth duelit ndaj ekipit fierak, duke zbuluar sesi arrihen pikët maksimale.
“Ne festuam pas fitores ashtu siç duhej, pasi ishte një ndeshje e madhe dhe performuam mirë. Tani e kemi mbyllur atë kapitull, jemi balancuar, duhet të jemi realistë dhe të fokusohemi te ndeshja e ardhshme.
Jemi të qartë për situatën e kundërshtarit. Nesër luajmë për pikët maksimale. Duhet të fitojmë ndeshjen dhe të luajmë me përqendrimin e duhur. Ta marrim seriozisht, fitojmë ndaj Apolonisë nëse luajmë si në ndeshjen e fundit“, deklaroi Brdaric. /abcnews.al