Thomas Brdaric do të qëndrojë në krye të Vllaznisë. Humbja e djeshme me Bylisin tronditi pozicionin e tij në krye të shkodranëve dhe në fakt shkarkimi i tij ishte më pranë se kurrë, pavarësisht se ecuria e këtij sezoni kishte thyer të gjitha parashikimet.
Sponsori Alban Xhaferi, i kontaktuar nga abcnews.al, ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin gjerman. “Trajneri Brdaric konfirmohet në krye të Vllaznisë. Lojtarët kanë besim tek ai.
Është e kuptueshme që jemi të pakënaqur me ecurinë e kohëve të fundit, por pjesa e diskutimeve të brendshme i takon klubit. Tani le të presim reagimin. Futbollistët të luajnë për ne, për vete dhe për trajnerin. Të shohim se çfarë do të ndodhë në vazhdim”, tha mes të tjerash Xhaferi.
Shkurtimisht foli edhe drejtori sportiv, Matko Djarmati: “Bradric vazhdon me ne. Kishim disa gjëra të brendshme, si çdo familje, por vazhdojmë rrugëtimin së bashku”.
Sikurse kuptohet lojtarët kanë marrë përsipër në njëfarë mënyre edhe përgjegjësinë e rezultateve negative. Vllaznia në nëntë ndeshjet e fundit kishte marrë vetëm 7 pikë, duke bërë që rivalët të afroheshin dhe sot edhe mund ta humbin vendin e parë në renditje nëse Laçi e Teuta fitojnë. /abcnews.al