Thomas Brdaric, trajneri i Vllaznisë, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për humbjen e pësuar kundër Laçit dhe më pas edhe atë të radhës me Apoloninë. Në Shkodër tashmë kapjen e Europës e shikojnë detyrim, të paktën drejtuesit, por tekniku nuk dëshiron të shohë më pas se ndeshja e radhës.
“Kemi bërë një analizë të gjatë të ndeshjes me Laçin dhe kemi dalë në konkluzionin se nëse duam të arrijmë diçka, nuk duhet t’i përsërisim sërish ato gabime. Ajo humbje nuk ishte një gjë e mirë dhe gjatë analizës e kam konstatuar tek të gjithë keqardhjen e asaj që nuk bënë si duhet gjërat.
Humbja ndihet dhe është normale, por prej saj duhen nxjerre mësimet për të ardhmen. Duhet të reagojmë menjëherë për të kthyer situatën në favorin tonë”, tha fillimisht tekniku gjerman para gazetarëve, ndërsa më pas u pyet për ndeshjen me fierakët dhe iu kujtua se ata janë të fundit në renditje.
“Për ne çdo ndeshje luhet si një finale. Nuk ka rëndësi se kundërshtari i radhës është në vendin e fundit, pasi dikush duhet të jetë edhe në atë vend. Ne do të luftojmë e punojmë për të marrë një rezultat sa më pozitiv, njëlloj sikur të ishim duke luajtur ndaj ekipit më të mirë”, shtoi trajneri i Vllaznisë.
“Presion për Europën? Jam shumë serioz në punën time dhe gjithmonë kam deklaruar se shoh nga ndeshja në ndeshje. Humbëm me Laçin dhe e analizuam atë. Kemi për të patur ndeshje të tjera shumë më të forta, por fokusi jonë duhet të jetë gjithmonë aty. Ne nuk kemi pretendime momentale dhe duhet të presim edhe 6-7 muaj të tjerë për të parë fundin.
Ne jemi këtu të gjithë që e duam futbollin dhe prandaj merremi me këtë pune. Por deri sot nuk kemi patur asnjë qëllim për të parë larg, por për t’u fokusuar te çdo ndeshje. Nuk duam të themi ekipi do të shkojë këtu apo aty. E rëndësishme është që ekipi e do lojën e bukur dhe do të vazhdojmë të luajmë kështu vazhdimisht”.
Në fund, në lidhje me mungesat, Brdaric u shpreh: “Na mungojnë Imami e Krymi, por kemi lojtare të tjerë që do të luajnë. Janë lojtarë krejt seriozë dhe nuk shohim ndonjë diferencë të madhe mes tyre. Prandaj do t’i zëvendësojnë pa asnjë problem”. /abcnews.al