Brdaric: E pësuam nga dy gabime idiote! Pjesa e dytë? Nuk fitohet kështu

schedule15:26 - 12 Mars, 2021

schedule 15:26 - 12 Mars, 2021

Vllaznia ndodhet në krizë dhe sot u shndërrua në viktimën e Bylisit, që i mundi 1-2 në “Loro Boriçi”. Ndeshja e pestë radhazi pa fitore për kuqeblutë e Thomas Brdaric, i cili reflektoi qartë zhgënjimin e tij në prononcimin e dhënë për Supersport.

Duhet ta analizojmë ndeshjen siç duhet. Jemi të zhgënjyer për rezultatin, pasi shënuam, krijuam shumë raste dhe e patëm ndeshjen nën kontroll. Kryem dy gabime idiote dhe pësuam dy gola.

Kur nuk e shënon dot golin e dytë, duhet të jesh i kujdesshëm në minutat e mbetura. Ndërhymë me zëvendësime, donim të kishim forca të freskëta për të kontrolluar ndeshjen. Nuk na ecën siç duhet zëvendësimet.

Ne luajmë futboll për të fituar. Kryem një punë shumë të mirë në pjesën e parë, por humbëm shumë dhe i dhamë shpresa Bylisit. Nuk ishim të qetë në pjesën e dytë, gabuam dhe në atë mënyrë siç luajtëm në pjesën e dytë, nuk mund të fitojmë dot.

Duhet të mos e humbasim qetësinë dhe ta analizojmë ndeshjen në mënyrë të saktë. Jemi të acaruar për rezultatin, le të shohim nesër se çfarë masash do të marrim për të rregulluar situatën“, deklaroi trajneri i Vllaznisë. /abcnews.al