Vllaznia e këtij sezoni është krejt tjetër dhe sigurisht merita ka edhe trajneri gjerman, Thomas Brdaric. Pas duelit me Partizanin në “Elbasan Arena”, tekniku i kuqebluve ka folur në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Barazimi pa gola u shkon për shtat shkodranëve, që ruajnë diferencën prej 9 pikësh me “demat”.
“Shiu na solli fat, por e bëri edhe të vështirë lojën. Jemi skuadra që po na ndjekin të gjithë dhe duhet të bëjmë maksimumin për të fituar. Ishim më mirë pjesën e parë, kurse pjesën e dytë lëshuam terren dhe Partizani kishte rastet e veta”.
“Titulli? Jemi në mes të sezonit dhe jemi në këtë pozicion sepse e kemi merituar edhe fatin në ndeshje të caktuara. Duhet ta vazhdojmë të punojmë, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në dy muajt apo tre muajt e ardhshëm”.
“Lodhje në 30 minutat e fundit? Mendoj se të dyja ekipet e kishin të vështirë të luanin në këtë fushë. Pasi humbëm Krymin donim stabilitet dhe të kundërsulmonim. E kishim një rast, por nuk shënuam. Lojtarët nisën të mendojmë shumë dhe luajtëm të tërhequr. Duhej më shumë guxim, por kështu shkoi loja”.
“Dilaver një fazë pa gol? Nuk na intereson kush shumë shënon. Për besimin e tij normalisht ai do të shënojë shumë dhe uroj të realizojë sa më shpejt. Po punojmë fort dhe tani duhet të mendojmë për sfidën me Laçin dhe shpresoj të shënojë. E them sërish, rëndësi ka të ndryshojë skuadra”.
“Kartoni i kuq i Krymit? Të dyja e vuajnë. Partizani është mësuar, e bëri edhe kundër Tiranës. Ne nuk e kishim bërë dhe do mësojmë”. /abcnews.al