Nuk ishte një e papritur, por gjithsesi kënaqësia ishte e madhe.
Karlo Ançeloti e festoi sërish në fushë ditën e shquar të jetës, atë të lindjes, e madje në prag të një turneu tepër të madh, ndoshta në më të madhin ku ka marrë pjesë si trajner.
Tekniku I Brazilit mbushi 67 vjeç, duke qenë ende I uritur për të fituar, edhe pse kabinetin e trofeve e ka plot, ndërsa futbollistët e tij ia bënë urimin, siç dinë ta bëjnë në sportin më popullor të botës.
Ai bëri parakalimin para ekipit të vendosur në dy rreshta, “pasijo” siç I thonë spanjollët, e më pas vazhdoi me seancën stërvitore.
Gjithsesi, djemtë e tij u treguan më të përmbajtur duke mos e goditur me shuplaka pas shpine ose pas koke.
Kjo nuk mund të bëhet me një Karlo Ançeloti.
Edhe Konferederata e Futbollit e Brazilit e botoi mesazhin për ditëlindjen në faqet e saj zyrtare në rrjetet sociale.
Italiani veteran do të synojë të bëhet I pari teknik I huaj që ia del me Brazilin në Kupën e Botës, dhe që të kthejë traditën e madhe të “Selesaos”, që është pesë herë kampione, si askush tjetër në rruzull.
Për herë të fundit, “kanarinat” ia dolën në 2002, në epokën e Ronaldos, Ronaldinjos e Rivaldos.
Skuadra e sotme nuk duket aq e talentuar dhe aq e bashkuar si atëherë dhe jo më kot jepet si pretendente numër 5 për të marrë trofeun, pas Spanjës, Francës, Anglisë dhe Portugalisë.
Brazilianët I mbyllën ndeshjet miqësore me fitoren 2-1 kundër Egjiptit në Klivlend, pra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nejmar ende nuk është stërvitur me ekipin dhe është e sigurt se nuk luan të dielën kundër Marokut në sfidën e parë në grup në Nju Xhersi, ndërsa mbetet në dyshim për dy duelet e tjera.
Ançeloti ka fituar 31 trofe në karrierë si trajner, përfshi rekordin e 5 Championsëve, rekordin që ka fituar të pesë ligat e mëdha të Europës, ndërsa duhet të provojë veten në kombëtaren më të shquar në planet.



