Nuk ia kanë dalë uniformat blu të ndalojnë inatin opozitar në Burrel. Punonjësit e policisë bashkiake dhe mbështetësit e Partisë Demokratike hynë me forcë brenda KZAZ-së nr. 16. E gjithë baza materiale u nxor jashtë dhe iu vu zjarri.
Qëllimin ia arritën opozitarët e Burrelit pas afro dy orësh përplasje me policinë e rendit e cila përdori dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve. Në mbështetje të tyre shkuan dhe efektivë të Forcave te Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët nisën shoqërimet.
Pasojat nuk janë vetëm materialet zgjedhore të djegura, por edhe policë e protestues të lënduar. Synimi i radhës ishte Bashkia Klos. Të njëjtin fat patën edhe materialet zgjedhore në KZAZ nr 17.
E tensionuar ka qenë situata edhe në Kukës. Uniformat blu nuk e kanë kursyer gazin lotsjellës. Një kamion i bashkisë shpërtheu derën e KZAZ, të cilës protestuesit i vunë zjarrin. Dy punonjës u lënduan.
Pas dy orë përplasje materialet u tërhoqën nga ambientet e KZAZ-së në palestrën e gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës. Ka qenë Policia e Shtetit, e cila bëri zhvendosjen e të gjithë materialit zgjedhor.
Për më shumë se një orë dhjetëra militantë të LSI-së dhe të PD-së tentuan të hyjnë me forcë në ambientet Pallatit të Kulturës në Berat, aty ku ndodhet KZAZ nr. 64.
Policia përqendroi efektivë të rendit dhe midis palëve u krijua tension. Në krye të opozitarëve qëndron Eno Bozdo, i cili kërkoi të lirohen ambientet e KZAZ, ose do të përdorej forcë për të hyrë brenda tyre.
Pas qëndresës së policisë, përfaqësuesi opozitës i shpërndau protestuesit. Tensioni mes policisë dhe mbështetësve të opozitës në Pogradec u shua pasi ia dëgjuan fjalën.
Bashkia i ka dhënë afat Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor për të liruar ambientet deri këtë të enjte. Në të kundërt do të veprojnë për të ndaluar veprimet e mëtejshme të këtij Komisioni.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Bilisht ku simpatizantët e opozitës janë përpjekur të hyjnë me forcë në ambientet e KZAZ-së, por janë ndaluar nga policia. Në Gjirokastër e Ballsh nuk ka patur nevojë të ushtrohej forcë nga opozita pasi përfaqësuesit e KZAZ-ve kanë pranuar afatin prej 24 orësh për të zhvendosur materialet zgjedhore./ABC News Albania 24/7