“Borxhet e pushtetit vendor”, Denaj bën thirrje për ngritjen e Kadastrës fiskale

schedule17:30 - 27 Janar, 2020

schedule17:30 - 27 Janar, 2020

Ministrja e financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj i ka bërë thirrje bashkive që të fokusohen në ngritjen e Kadastrës fiskale.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve ministrja deklaroi se Kadastra është baza për  një sistem më të drejtë për pagesën e taksës së pronës e cila do të zbatohet në bazë të vlerës. Ndër të tjera Ministrja e Financave bëri apel për më shumë kujdes në mbledhjen e të ardhurave.

Gjithashtu Denaj në mbledhjen e Këshillit të Investimeve deklaroi se Kadastra fiskale është e rëndësishme për zbatimin e taksës së pronës e cila do të jetë sa 0.05% e vlerës së banesës.

“Duhet të ketë një angazhim të shtuar për reformën e Kadastrës fiskale”, tha Denaj.

Ministrja e Financave i bëri apel bashkive që të kenë në vëmendje edhe mbledhjen e të ardhurave. Sipas të dhënave niveli i borxheve të pushtetit vendor arriti në 6,2 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar.

“Të ardhurat nga burimet e veta përfaqësojnë rreth 29.1% ndaj burimeve financiare totale. Lidhja e transfertës së pakushtëzuar të përfituar nga bashkitë rriti fondet në dispozicion të bashkive duke e çuar këtë shumë në 42% në vitin 2019 krahasuar me 2015 rreth 38% më shumë në të gjithë nivelin e saj historik”, theksoi Denaj.

Aktualisht taksa e pronës në bazë të përllogaritjes së re nuk ka nisur të zbatohet në të gjithë vendin pavarësisht se ka hyrë në fuqi që në prill të 2018.Shkak për këtë ka qenë mungesa e të dhënave ndërkohë që ngritja e kadastrës fiskale është vlerësuar si zgjidhje për çështjet e pronësisë./abcnews.al