Bonus për pensionistët/ Rama në Kuvend: Fond prej 100 milionë eurosh

schedule10:08 - 18 Nëntor, 2024

schedule 10:08 - 18 Nëntor, 2024

Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të ketë një bonus fundviti për pensionistët.

Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Rama u shpreh se pensionistët që kanë pension deri në 20 mijë lekë, do marrin një bonus prej 150 eurosh.

Ndërsa pensionistët që kanë pension më të madh se 20 mijë lekë, do të marrin bonusin prej 100 eurosh.

“Atëherë në hyrje të kësaj fjale për projektbuxhetin 2025, dua edhe njëherë për ata që nuk e dëgjuan dot për shkak të interferencave, t’u përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim, qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit. Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, 150 euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.

Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët. Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.

Më konkretisht akoma, për të gjithë ata që marrin një pension social, ky bonus është i barabartë me një rritje vjetore të pensionit prej afro 13%. Për ata që marrin një pension 15 mijë lekë në muaj, bonusi është i barabartë me një rritje prej afro 9% të pensionit çdo muaj, ndërsa për nënat kryefamiljare dhe jetimët, ky bonus sjell një rritje me 35% të pensionit mujor”, theksoi kreu i qeverisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!