Bolonja viziton në spital trajnerin e sëmurë Sinisha Mihajloviç

schedule12:30 - 16 Shtator, 2019

schedule 12:30 - 16 Shtator, 2019

Bolonja krijoi emocione të mëdha në Serinë A, duke vizituar në spital trajnerin Mihajloviç, pas fitores së ndeshjes së radhës. Bolonjezët janë në vendin e dytë të renditjes, edhe pse pa teknikun në stol.

Fillimisht, i habiti të gjithë duke shkuar në stadium. Sinisha Mihajloviç, trajneri i Bolonjës i sëmurë me leuçemi, nuk mundi ta përsëriste këtë mrekulli, por gjithsesi, nuk ishte larg skuadrës edhe pse i detyruar të rrinte mbyllur në spital.

Pasi u dha porositë ndihmësve të tij, De Leo e Tanjga, për ndeshjen e Serisë A në fushën e Breshës, e ndoqi sfidën nga televizori, dhe fillimisht nuk ishte aspak i lumtur.

Lombardët udhëhoqën 3-1 në përfundim të pjesës së parë, dhe po shkonin drejt fitores, por Mihaloviçi ende kishte besim.

Ai foli që nga spitali me skuadrën, duke e qortuar për dobësinë e saj, dhe duke e nxitur që të luftonte për t’ia dalë.

Kjo ndikoi dhe pas pushimit bolonjezët hynë në fushën e lojës me tjetër mentalitet duke përmbysur rezultatin në 4-3 falë golave të shënuar nga Rodrigo Palasio, Stefano Densvil e Rikardo Orsolini.

Momenti tjetër i veçantë ishte kur tifozët e Breshës nxorrën një parullë për teknikun kundërshtar, duke e përshëndetur dhe i uruar shërim të shpejtë.

Në përfundim të takimit, skuadra e ktheu autobusin në spitalin e trajnerit, i cili doli në dritare duke e përshëndetur.

“Sinisha drejton me telefon nga spitali përmbysjen e Bolonjës, pastaj të gjithë shkojnë në spital”, ishte titulli i “La Gazeta delo Sportit”.

Bolonja është në vendin e dytë në Serinë A, në mënyrë të pabesueshme, ndërsa Mihajloviçi shpreson që të bëhet mirë dh eta udhëheqë skuadrën në një sezon që mund të jetë i paharrueshëm. /ABC News Albania 24/7