Gara për kreun e Partisë Demokratike në Shkodër ka sjellë tensione dhe përplasje brenda selisë lokale të kësaj force politike. Konfirmimi i vetëm dy kandidatëve për zgjedhjet e 15 marsit ka shkaktuar debate të forta mes anëtarëve demokratë, që në një moment kanë degjeneruar edhe në përplasje fizike.
Në mbledhjen ku ishte i pranishëm edhe drejtuesi politik i PD për qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, u bë e ditur se në garë do të jenë vetëm dy emra: Genti Ibroja dhe Ardit Qylybyli. Sipas burimeve nga mbledhja, lista e propozuar nga baza ka qenë më e gjatë, por selia qendrore ka vendosur të konfirmojë vetëm këta dy kandidatë.
Vendimi ka sjellë reagime të forta nga disa anëtarë të kryesisë së degës. Ervin Gjini kërkoi sqarime për përjashtimin nga gara të emrit të tij dhe të kandidatëve të tjerë të propozuar nga baza, mes tyre edhe nënkryetarit të PD-së Arben Lushaj.
Gjini kundërshtoi argumentin se përjashtimi lidhet me faktin që ai punon në Bashkinë Shkodër, duke theksuar se edhe drejtues të tjerë të partisë janë të punësuar në institucione publike ose kanë familjarë në administratë.
Debati u përshkallëzua edhe më tej pas ndërhyrjes së Arban Lutfisë, i cili kundërshtoi deklaratat e Gjinit dhe theksoi se nuk ka familjarë të punësuar në administratë. Përplasja mes palëve u tensionua deri në përfshirje fizike, ku u përfshi edhe nënkryetari i PD-së Arben Lushaj, i cili kishte mbërritur në mbledhje pas nisjes së debatit.
E gjithë situata ndodhi në prani të drejtuesit politik Luçiano Boçi.
Sipas burimeve brenda selisë së PD-së në Shkodër, dega lokale duket e ndarë në dy grupime. Njëra palë mbështet kandidatin Ardit Qylybyli, ndërsa pala tjetër mbështet Gent Ibrojën, duke reflektuar ndarjet e brendshme brenda strukturave të partisë në qytet.


