Bllokohet Rruga e Kombit, pas Kurban Bajramit

schedule09:41 - 22 Gusht, 2018

schedule 09:41 - 22 Gusht, 2018

Menjëherë pas mbarimit të festës së Kurban Bajramit shqiptarët e Kosovës janë dyndur drejt bregdetit shqiptar. Për pasojë është bllokuar edhe segmenti Morinë-Kukës, pjesë e rrugës së Kombit. Radha e automjeteve është e gjatë, çka ka sjellë edhe trafik të rënduar nga zona e njohur si Bardhoc deri në urën e Drinit të Zi, në dalje të qytetit të Kukësit.

Një fluks i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nga Morini në Kukës, rruga e Kombit u bllokua për orë të tëra.  Mijëra automjete në më shumë se 17 km, në dy korsitë drejt Kukësit thuajse kanë lëvizur me hapin e breshkës.

“Trafik i dëndur shumë i madh, për shkak të atyre urave”.
“Jemi nis prej orës 5 prej Kosovës tu prit kolonë , nuk e dimë as vetë”.

Veç numrit të lartë të mjeteve, shkaku kryesor i këtij kaosi janë pesë urat e papërfunduara nga Kukësi në Morinë.
Në urë, mjeteve u duhet të kalojnë nga dy në një korsi të vetme. Patrullat e policisë të autostradës u përforcuan dhe nga policia e Kukësit, por gjendja thuajse mbeti e pandryshuar për orë të tëra.

Këtë të mërkurë u duk sikur e gjithë Kosova u shpërngul drejt Shqipërisë. Çdo metër katror i autostradës ishte i populluar me mjete.
Një pjesë e mjeteve kërkonin rrugë alternative dhe kanë hyrë në qytet, por Kukësi ka vetëm një dalje, Ura e Drinit të Zi, e cila nuk e përballon këtë fluks.

Në projekt është ndërtimi i urës së madhe mbi Drin. Madje punimet për ndërtimin e saj duhej të kishin nisur me kohë, bashkë me dublimin e urave të tjera deri në Morinë, përfshirë mbikalimet dhe nënkalimet./abcnews.al

Gazetar i ABC News, Kukës: Bujar Muçmata

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!