Zhbllokohet qarkullimi i mjeteve në Qafën e Ulzës në Bulqizë. Mbi 100 makina u izoluan për më shumë se tre orë për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Të gjitha rrugët kombëtare në Dibër qarkullohen me zinxhirë. Ndërsa rrugët rurale janë të bllokuara thuajse të gjitha.
Lura, Selishta dhe një pjesë e madhe e fshatrave të Melanit janë të izoluara. Drejtoria e Arsimit Dibër ka njoftuar mbylljen e shkollave deri në një njoftim të dytë. Furnizimi me energji elektrike është normal.
Prefekti Nexhbedin Shehu: “Sot në gjithë qarkun e Dibrës ka reshje të dendura, të gjithë firmat kontraktore dhe kryetarët e bashkive kanë qenë gjithë natën në rrugë dhe është hedhur kripë. Kemi pasur problem dy rrugë të pakontraktuara dhe ato sot janë lidh kontrata dhe mjetet janë në rrugë. Rruga e Klinës ka 4 mjete në punë, rruga e Steblevës 2 mjete. Rruga Burrel-Peshkopi ka 7-8 borëpastruese dhe rruga e Kalasë së Dodës e Reçit ka mjete që po hapin rrugët. Kemi kontaktuar me zyrën arsimore. Nxënësit kanë shkuar në shkolla. Po qe se do kemi fshatra të izoluar që ka vështirësi të qarkullimit mund të bëjmë orë të reduktuara dhe mund të mbyllim mësimin në shkolla të caktuara. Deri tani nuk kemi zona të izoluara”. /abcnews.al