Bllokimi i Shkollës së Magjistraturës, SHBA: Dështim i partive

schedule16:08 - 24 Korrik, 2018

schedule 16:08 - 24 Korrik, 2018

Në Shqipëri, i ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Muniz, e konsideron “një dështim i të gjitha partive në parlament”, moskalimin dje në seancën e fundit të parlamentit për këtë sesion, të ndryshimeve ligjore që do të sillnin zhbllokimin e regjistrimit të studentëve të rinj për këtë vit akademik në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimin e të porsadiplomuarve.Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, zoti Muniz u shpreh se bëhej fjalë për “një amendim të thjeshtë të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për të përmbushur një kërkesë bazë të një sistemi drejtësie funksional, i cili lejon që studentë të rinj të hyjnë në Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës përgatit brezin e ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë, jashtë ndikimit politik, në mënyrë që shqiptarët më në fund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre. Politikanët shqiptarë kishin mundësinë ta ndërmerrnin këtë hap të thjeshtë përpara dhe të hapnin dyert për një klasë të re studentësh, por nuk e bënë këtë”.

Sipas tij “vettingu po ecën më shpejt, dhe Shqipëria ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që do të mbrojnë sundimin e ligjit. Me sa duket, politikanët kanë frikë nga sundimi i ligjit dhe prandaj nuk punuan sëbashku për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës dhe reformën në drejtësi”, përfundon reagimi i zotit Muniz.

Ngërçi me Shkollën e Magjistraturës u shkaktua për shkak të vonesave në ngritjen e institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Ndryshimet e propozuara nga socialistët synonin që në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të jetë vetë Shkolla e magjistraturës që të realizojë pranimet e reja, ndërsa emërimet për gjyqtarët dhe prokurorët, të bëhen nga KLD aktuale dhe Prokurorja e Përgjithshme. Por ky propozim u kundërshtua nga opozita, ndërsa shumica e vetme nuk i kishte 84 votat e nevojshme për miratim./Zëri i Amerikës

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!